Vrasja e Nikulajt, kapet në Londër personi i fundit i shpallur në kërkim

I dyshuari i fundit si bashkëpunëtor në vrasjen e Ardian Nikulajt është arrestuar në Britani.
Policia bën me dije se arrestimi i britanikut është bërë në një banesë në Londër.
Shtetasi anglez Harry Simpson ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet se në bashkëpunim me pesë persona të tjerë (në rolet e porositësit, ekzekutorit dhe 3 bashkëpunëtorëve të tjerë), ka qenë i implikuar në vrasjen e biznesmenit shqiptar.
“U bë i mundur lokalizimi në një banesë në Londër, kapja dhe arrestimi me qëllim esktradimin, i shtetasit të shpallur në kërkim H. S. alias J. S., 32 vjeç, lindur dhe banues në Mbretërinë e Bashkuar. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë ka caktuar për shtetasin H. S. alias J. S., masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, thuhet në njoftim.
Interpol Tirana vijon veprimet procedurale, në bashkëpunim me Interpol Manchester, me qëllim ekstradimin e 32-vjeçarit, drejt vendit tonë.
Biznesmeni Ardian Nikulajt u ekzekutua me 19 prill të këtij vitit teksa po pinte kafen në lokalin e tij në Shëngjin. Ndërkohë janë arrestuar, po në Londër katër prej autorëve të dyshuar si të implikuar në vrasjen e biznesmenit. Ata janë britanikët Harriet Bridgeman, Stephen Hunt, Thomas Mithan dhe shqiptari Edmond Haxhia.
/rtsh.al/