E Martë, 3 Nëntor 2026

Vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, Gjykata e Apelit rihap pjesërisht shqyrtimin gjyqësor ndaj Arbër Paplekajt

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm rihap pjesërisht shqyrtimin gjyqësor ndaj ish-efektivit të Gardës, Arbër Paplekaj. Gjykata ka pranuar kërkesën e Peplekajt, për kryerjen e një ekspertimi kriminalistik nga ekspertë të fushës, në lidhje me vrasjen e ish-zyrtarit në Elbasan, Pjerin Xhuvani.

Apeli, nga ana tjetër, ka vendosur të marrë informacion në lidhje edhe me dy shtetasit, të cilët akuzohen për “dëshmi të rreme”, dhënë në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, si dhe të merret informacion mbi vijimin e procedimit penal të pezulluar për personat, që kanë qëlluar me armë zjarri në vendngjarje.

Lidhur me këtë çështje, kërkohet informacion në lidhje me hetimet që po kryhen për identifikimin e personave të tjerë që qëlluan në vendngjarje.

Në këtë mënyrë, Apeli vendos të rihapë shqyrtimin gjyqësor dhe të marrë edhe disa prova të tjera.

“Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare Marsela Pepi,  anëtarë Fatri Islamaj dhe Edlira Petri, pasi dëgjoi ankuesit mbi shkaqet e ankimeve të paraqitura, si dhe prokurorin e apelit Genti Xholi, me vendimin e ndërmjetëm, vendosi:

-Të përsërisë pjesërisht shqyrtimin gjyqësor me qëllim marrjen e provave si më poshtë:

-Kryerjen e një ekspertimi kriminalistik nga ekspertë të fushës, duke pranuar kështu kërkesën e të pandehurit A.P.

-Të marrë informacion në lidhje me dy shtetasit, të cilët akuzohen për “Dëshmi të rreme”, kryer në gjykimin e zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

-Të merret informacion mbi vijimin e procedimit penal të pezulluar për personat, që kanë qëlluar me armë zjarri në vendngjarje.”, thuhet në vendim.  

Paplekaj i është drejtues disa herë gjykatës, duke kërkuar ri-ekspertim të vrasjes që ndodhi pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit të vitit 2021.

Gjykata e Elbasanit e ka shpallur fajtor ish-efektivin e repartit RENEA, Arbër Paplekaj, duke e dënuar me 22 vite burgim me akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›