E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Xhindit, gjendet pas një viti prova

Një karikator me 30 fishekë u gjet nga vëllai i deputetit pranë vendit të ngjarjes

Një provë që do të kishte ndryshuar rrjedhën e hetimeve për vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi ka dalë në dritë vetëm një vit pas vrasjes. Një karikator kallashnikovi me 30 fishekë është gjetur në afërsi të vendit të ngjarjes nga vëllai i deputetit të vrarë, por, për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar, ka pak shpresa që nga ky objekt të nxirren të dhëna të rëndësishme për ngjarjen.
Megjithatë, zbulimi me një vit vonesë i provës ka riaktivizuar grupin e hetimit që po shqyrton çështjen dhe ka detyruar Ilir Xhindin të paraqitet për seanca pyetjesh nga policia lokale dhe nga ekspertë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Lajmi për gjetjen e karikatorit me fishekë pranë vendit ku u vra deputeti Xhindi bëhet i ditur për gazetën “Shqip” nga burimet zyrtare të Seksionit të Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Fierit, efektivë të të cilit bëjnë pjesë në grupin e hetimit të ngritur për zbardhjen e vrasjes së deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi.

Gjithçka ka nisur afro 45 ditë më parë. Në afërsi të banesës së Fatmir Xhindit, në periferi të qytezës së vogël të Roskovecit, vëllai i tij, Iliri, mësohet se ka gjetur një karikator kallashnikovi dhe ka njoftuar policinë për këtë. Karikatori, pas ekspertizës së policisë, ka rezultuar se ka pasur 30 fishekë dhe se ka qëndruar për një kohë të gjatë në natyrë dhe është dëmtuar nga agjentët atmosferikë.
“Karikatori ishte i veshur me një shtresë të tillë që shkaktohet nga balta, shiu dhe nga ekspozimi për një kohë të gjatë në diell. është sjellë nga vëllai i deputetit të vrarë dhe është konsideruar si provë e rëndësishme e hetimeve të ngjarjes”. Kështu shprehen për gazetën burime nga grupi i hetimit. Po këto burime pohojnë se fishekët e karikatorit të gjetur së fundmi përkojnë për nga kalibri me ato që u gjetën në trupin e deputetit.

Pas ekspertizës së karikatorit në Institutin e Kriminalistikës në Tiranë, mësohet se ai është dërguar në Angli, ku po u nënshtrohet ekspertizave të specializuara. Nuk bëhet e ditur se janë gjetur prova domethënëse në këtë karikator, por ajo që pohojnë burime të grupit të hetimit lidhet me faktin se edhe muajt e fundit ngjarja po hetohet në disa pista.

Nuk bëhet e ditur se me çfarë statusi është marrë në pyetje vëllai i Fatmir Xhindit. Ajo që pohojnë burime të seksionit të krimit të organizuar në Drejtorinë e Policisë së Fierit ka të bëjë me marrjen e Ilir Xhindit në pyetje nga policia lokale si dhe nga autoritete të Sektorit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Pritet që rezultatet e analizave nga laboratorët në Angli të hedhin më shumë dritë mbi një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura në Shqipëri gjatë viteve të fundit.

Kanë kaluar 13 muaj që nga dita kur Fatmir Xhindi, deputet i Kuvendit të Shqipërisë për tri legjislatura, u ekzekutua në derën e shtëpisë së tij. Që nga ajo ditë, familjarët dhe të afërmit e deputetit kanë apeluar për gjetjen e autorëve të vrasjes, duke nënshkruar edhe disa peticione.
Por policia, deri më sot, ka deklaruar vetëm se është shumë pranë zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimit të autorit, pa dhënë në fakt qoftë edhe një shpresë se hetimet po ecin vërtet në drejtimin e duhur. Gjetja e një prove të rëndësishme rreth një viti pas ngjarjes, tregon më shumë se gjithçka, se policia nuk e ka kryer siç duhet punën e saj në vendin e ngjarjes, duke lënë pas një karikator që në ditën e vrasjes duhet të ketë pasur të freskëta gjurmë gishtash dhe material gjenetik të vrasësit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›