E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtatë artistë dhe Teatri Kombëtar dekorohen nga Presidenti

Ceremonia

Me motivacionin “Për kontribut të veçantë në zhvillimin dhe promovimin e vlerave skenike, duke ruajtur dhe konsoliduar identitetin kombëtar të artit dhe kulturës shqiptare”, Teatri Kombëtar u dekorua dje nga Presidenti Bamir Topi me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me rastin e 65-vjetorit të krijimit të tij. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, në mjediset e Presidencës ishin të pranishëm ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, drejtuesit aktualë dhe në vite të këtij institucioni të nderuar të kulturës shqiptare, regjisorë, aktorë, skenaristë dhe të tjerë personalitete të njohura të artit e të kulturës. Kreu i Shtetit i dorëzoi Urdhrin e Lartë drejtorit të Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami. Në emër të institucionit të Teatrit Kombëtar përshëndeti drejtori Kristaq Skrami. “Më lejoni që në emër të të gjithë artistëve të Teatrit Kombëtar, të të gjithë atyre që kanë kontribuar gjatë gjithë këtyre 65 viteve për lartësimin e emrit të këtij institucioni prestigjioz kombëtar, t’ju falënderoj për vlerësimin e madh që i bëni në këtë 65-vjetor të krijimit të tij”, u shpreh ai. Më pas, ceremonia vijoi me dekorimin nga Presidenti Topi të regjisorit të shquar, Pirro Mani me Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Personalitetit me kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e teatrit shqiptar, mjeshtër i regjisurës, që falë përkushtimit dhe profesionalizmit të treguar, përgjatë karrierës së tij, bart në vetvete një etikë të përkryer artistike të skenës”. Po në këtë veprimtari, në shenjë vlerësimi të lartë dhe nderimi për kontributin dhe veprimtarinë e tyre në vite në skenën e Teatrit Kombëtar, Presidenti i Republikës dekoroi aktorin e mirënjohur Naim Frashëri, (pas vdekjes), me Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin “Personalitetit me kontribute të rralla në historinë e skenës dhe kinematografisë kombëtare, që me karrierën e shkëlqyer si aktor dhe pedagog i fjalës artistike, me origjinalitetin në interpretimet e shumë roleve nga fondi i artë i krijimtarisë shqiptare dhe asaj të huaj, mbetet një figurë e madhe e artit shqiptar” dhe aktorin Agim Qirjaqi, (pas vdekjes) me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Aktorit të shquar të Teatrit Kombëtar, që me kontributin e dhënë ka pasuruar dhe ngritur në nivele të larta interpretimin artistik në skenën dhe kinematografinë shqiptare”. U dekoruan po dje edhe aktorja Yllka Mujo me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Aktores me aftësi dhe merita të shquara në portretizimin e shumë figurave dhe personazheve të njohura nga skena dhe kinematografia vendase dhe e huaj, duke i dhënë origjinalitet dhe mjeshtëri të lartë interpretative”. Po ashtu edhe aktori Ndriçim Xhepa me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin “Aktorit me individualitet të shquar interpretimi, që ka krijuar figura artistike krejt origjinale, duke transmetuar ide dhe mesazhe të fuqishme për ringritjen shpirtërore dhe përsosjen morale të njeriut”; Rajmonda Bulku me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë” me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në krijimin me origjinalitet të personazheve, si në artin dramatik ashtu edhe në kinematografinë shqiptare, duke krijuar një individualitet të spikatur interpretativ”; Luiza Xhuvani me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë” me motivacionin: “Për interpretim me mjeshtëri të lartë artistike të shumë roleve në dramat shqiptare dhe të mjeshtërve të mëdhenj të dramaturgjisë botërore”. Në emër të artistëve të dekoruar përshëndetën aktorët dhe familjarët e tyre më të afërt, duke shprehur mirënjohjen për kreun e shtetit shqiptar lidhur me nderimin dhe respektimin e punës së tyre shumëvjeçare dhe vlerësimit të talentit e arritjeve të tyre artistike e kulturore.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›