Vrasja e argjendarit, ish-shoferi i prokurorisë zbuloi kosovarin
Nexhat Mulaj, i punësuar në Tiranë, është parë duke dalë nga argjendaria e Rrapo Sinanajt nga një dëshmitar okular. Ky i fundit ka bërë “hetime paralele”, duke i dorëzuar policisë autorin
Tiranë Zbulimi dhe arrestimi i 27-vjeçarit kosovar, i dyshuar si autori i vrasjes së Rrapo Sinanajt, pronar i një argjendarie, mund të konsiderohet si “sukses” i një personi të vetëm. Një dëshmitar i ndodhur rreth 20 metra larg vendit të vrasjes, ka bërë të mundur identifikimin dhe njohjen e kosovarit Nexhat Mulaj, i cili dyshohet si autor i vrasjes së 22 tetorit në rrugën “Siri Kodra”. Dëshmitari, dikur shofer në institucionin e Prokurorisë, mësohet se ka dhënë një kontribut të çmuar në zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Përveç dëshmisë ku ka përshkruar me përpikëri karakteristikat fizike të autorit të dyshuar, dëshmitari që tashmë është në pension, ka bërë të mundur identifikimin e kosovarit pas shoqërimit të tij në polici. Pasditen e 22 tetorit, një person i maskuar dhe i armatosur hyn në argjendarinë me pronar 62-vjeçarin Sinanaj, duke tentuar të grabisë bizhuteritë dhe të hollat që gjendeshin aty. Sinanaj menjëherë ka tentuar të sinjalizojë grabitjen duke u përpjekur të shtypte sinjalin e alarmit, por si përgjigje ka marrë tri të shtëna me armë, ku njëra prej tyre ka qenë vdekjeprurëse. Ngjarja dhe më pas vrasja nuk është parë nga askush, por një dëshmitar që ndodhej vetëm 20 metra larg, pranë një dyqani lulesh, ka mundur të shohë një të ri që menjëherë pas krismave ka dalë gati i qetë nga argjendaria. Pas disa metrash rrugë, i dyshuari ka hequr një shami të sajuar në formën e maskës, të cilën e ka futur në xhepin e majtë, ndërsa në anën e djathtë të tij mbante armën e krimit, një pistoletë, e cila nuk është gjendur ende nga policia. Dëshmitari ka ndjekur me sy të riun, duke fiksuar edhe karakteristikat e tij fizike, edhe pse pas disa sekondash i dyshuari është zhdukur në rrugicat e lagjes. Menjëherë dëshmitari ka informuar policinë për karakteristikat e autorit, të cilin s’e ka parë disa ditë më në lagje, pasi 27-vjeçari kosovar banonte me qira në këtë zonë së bashku me 5 persona të tjerë. Pas hetimeve të kryera nga policia, nëpërmjet përgjimeve dhe vëzhgimeve në terren është bërë i mundur ndalimi i 27-vjeçarit kosovar Nexhit Mulaj, me banim të përkohshëm në Tiranë. Pas arrestimit, dëshmitari është paraqitur në ambientet e policisë, duke bërë edhe identifikimin e tij si personi që ka dalë nga argjendaria pasditen e 22 tetorit duke mbajtur në dorë një shami dhe një armë zjarri pistoletë. Sipas hetimeve rezultoi se Mulaj, i pajisur me katër karta të ndryshme identiteti, njëra prej të cilave shqiptare, qëndronte në Tiranë prej disa kohësh. Ai ishte punësuar në një kompani private me veprimtari në fushën e komunikimit dhe së bashku me pesë persona të tjerë banonin me qira në një banesë në lagjen ku ndodhi vrasja e pronarit të argjendarisë. Policia ka marrë në pyetje të dyshuarin, i cili ka mohuar vrasjen, duke përdorur si alibi punën e tij. Sipas të dyshuarit, ditën e ngjarjes, së bashku me ekipin e punës ai ka qenë në qytetin e Lushnjës, ku kanë kryer shtrimin e disa kabllove dhe një sërë detyrash të tjera të caktuara nga eprorja e tij. Por kjo alibi është kundërshtuar po vetë nga i arrestuari, i cili gjithashtu ka deklaruar se më 22 tetor është kthyer në qytetin e Tiranës rreth orës 17:00, ndërsa vrasja është kryer rreth orës 17:25 minuta.
Verifikimet telefonike, provë për akuzën
Qelizat e antenave celulare tregojnë se në momentin e krimit, 27-vjeçari Mulaj ka qenë në zonën ku ka ndodhur vrasja, fakt ky i pohuar edhe nga dëshmitari, i cili ka bërë të mundur dhe identifikimin e tij. Tashmë policia po kërkon armën e krimit dhe prova të tjera që mund të përfshijnë të arrestuarin në vrasje, ndërsa prokuroria pritet të depozitojë në gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë arrest me burg ndaj 27-vjeçarit Nexhat Mulaj. Gjithashtu, pjesë e hetimit të prokurorisë është edhe mënyra se si i arrestuari ka mundur të sigurojë një kartë identiteti shqiptare kur ai ishte banor i përkohshëm në Tiranë.