Autori i vrasjes së 17-vjeçarit: Jam penduar për vrasjen e shokut
Përcillet për në banesën e fundit futbollisti i ‘Korabit’, Krenar Bardulla, i cili u qëllua me thikë nga një shok i tij i klasës
PESHKOPI Autori i ngjarjes së të premtes paradite në shkollën e mesme profesionale “Nazmi Rushiti”, Ermal Reçi, ka treguar për grupin hetimor të ngjarjes se ai është autori i therjes me thikë të 17-vjeçarit Krenar Bardulla. Burime të sigurta pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër thanë për “Mapo”-n se Reçi ka pranuar në prani të avokatit të tij dhe psikologut se është autori i krimit, por ka theksuar se është penduar për veprën e kryer. Sipas njërit prej prokurorëve, autori ka treguar të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe ka pranuar me koshiencë krimin e rëndë.
Dëshmia
“Jemi zënë në lojën e volejbollit në orën e fizkulturës, - ka nisur rrëfimin e tij Ermal Reçi, nxënës i vitit të dytë në shkollën profesionale në Peshkopi. - I kërkova të ma hidhte topin dhe Krenari nuk pranonte. U zumë në lojë me fjalë. Shkova në shtëpi, mora një thikë dhe vajta përsëri në shkollë. Kur po hynim brenda në shkollë, e kam goditur Krenarin disa herë me thikë pas shpine. Në ato momente, njëri nga shokët ma ka rrëmbyer thikën dhe më ka goditur me të në kokë. Më dërguan në spital, pasi kisha hemorragji. Megjithëse e pashë Krenarin të shtrirë në dyshemenë e shkollës, mendova se ai ka shpëtuar. Qëndrova për shumë orë i rrethuar nga policia dhe në spital mësova lajmin se shoku im i klasës kishte ndërruar jetë”, - është shprehur Ermal Reçi për ngjarjen e dy ditëve më parë. Burime policore thanë se autori ka deklaruar se nuk ka dashur t’i merrte jetën shokut të klasës, se gjithçka ka qenë një grindje e çastit dhe se dy të rinjtë nuk kanë pasur konflikte të mëparshme me njëri-tjetrin. “Jam penduar rëndë pse isha unë shkaktari i vdekjes së shokut të klasës. E di që kam lënduar prindërit e Krenarit, shokët e klasës, gjithë qytetin e Peshkopisë. Në ato momente nuk kam kuptuar çfarë po bëja. Tani që jam qetësuar e kuptoj çfarë krimi kam kryer”, - ka thënë dje Ermal Reçi për oficerët e policisë gjyqësore.
Ceremonia
Dhimbje e lot për futbollistin e “Korabit” të Peshkopisë, Krenar Bardulla. Ai humbi jetën tragjikisht mesditën e së premtes në shkollën ku mësonte, teksa një shok i klasës e goditi me thikë. Tifozë të shumtë të “Korabit”, futbollistë të kësaj skuadre dhe banorët e Peshkopisë kanë përcjellë dje për në banesën e fundit 17-vjeçarin Bardulla, i cili ishte federuar dhe luante me ekipin e të rriturve të “Korabit”. Ngjarja tragjike ka shokuar futbollistët e Dibrës, tifozët e skuadrës verilindore, gjithë komunitetin e Peshkopisë. “Bardulla ishte rritur para kohe, - thanë tifozë të “Korabit”, - dhe klubi e pati federuar me të rriturit. Luante bukur futboll dhe ishte mjaft korrekt në stërvitje dhe ndeshjet zyrtare”. Humbja e futbollistit të ri ka pikëlluar drejtuesit vendorë të Peshkopisë, klubin e futbollit, tifozët e shumtë të “Korabit” dhe mbi të gjitha familjen e tij të dashur. P. HASA
Arrestohet 17-vjeçari, e plagosi autorin për hakmarrje
Peshkopi Ditën e djeshme është shoqëruar në ambientet e policisë së Peshkopisë një
17-vjeçar me inicialet N.C., i cili akuzohet për “plagosje të lehtë me dashje”. 17-vjeçari ishte shok klase me viktimën Krenar Bardulla, i cili dy ditë më parë kur ka ndodhur vrasja në ambientet e shkollës “Nazmi Rushiti”, në shenjë hakmarrjeje ka qëlluar me thikë në pjesën e kokës autorin e vrasjes, Ermal Reçi. Pas marrjes në pyetje të personave në vendin e ngjarjes, policia lokale ka identifikuar adoleshentin si autor të plagosjes së Reçit dhe për këtë ka bërë arrestimin e tij. Pritet që sot dy të arrestuarit të dalin përpara togave të zeza.