E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëllai i oficerit të SHISH: Mesazhi në telefonin e nipit, i shkruar nga Isai

Halit Çopa, vëllai i 49-vjeçarit që u gjend i djegur në makinën e tij, zbardh itinerarin e ditës së vdekjes. “Shoqëroi me makinë një vartës të tij, të cilit nuk i kishte shprehur asnjë shqetësim. Të zbardhet e vërteta”

Durrës Halit Çopa, vëllai i Oficerit të Shërbimit Informativ që u gjend i djegur në makinën e tij, kërkon nga organet e drejtësisë të zbardhet e vërteta e vdekjes së Isa Çopës. Kur kanë kaluar pesë ditë nga vdekja e mistershme e oficerit të rangut të lartë të shërbimeve sekrete, familjarët thonë se nuk përjashtojnë asnjë pistë hetimi në lidhje me këtë ngjarje, duke theksuar se Isa Çopa nuk kishte shfaqur asnjë shqetësim. Madje, vëllai i oficerit të SHISH-it thotë se ditën e ngjarjes, Isai ka shoqëruar me automjetin e tij një prej vartësve, të cilit gjithashtu nuk i ka shprehur asnjë shqetësim për punën që kryente. Halit Çopa pranon se mesazhi që i është dërguar djalit të viktimës është shkruar nga Isai, pasi sipas tij, është dora e tij dhe kjo gjë nuk ka diskutim. Halit Çopa tregoi se pas varrimit të vëllait ka biseduar edhe me kolegët e Isait, ku ka zbuluar se njëri prej vartësve atë ditë i ka kërkuar ndihmë për ta çuar diku me makinë. Ai i ka pohuar Halitit, se gjatë shoqërimit Isai dukej i qetë dhe nuk ka shfaqur asnjë shqetësim. “Pothuajse pinim përditë kafe bashkë. Atë ditë nuk u takuam dot, por di të them që vëllai im nuk ka pasur asnjë lloj problemi, sepse ka qenë një njeri tepër i rregullt”, - tha Halit Çopa. Në emër të familjarëve ai kërkoi zbardhjen e së vërtetës, pavarësisht motiveve që sollën ngjarjen e rëndë. “Kërkojmë që të zbardhet e vërteta, nuk kërkojmë asnjë gjë tjetër...ne si familje do t’i pranojmë të gjitha”, - tha vëllai i oficerit të SHISH-it. Gjatë rrëfimit të tij, Haliti shton se nuk dyshon tek askush për këtë ngjarje, ndërsa pranon se mesazhin e lamtumirës mund ta ketë dërguar i vëllai. “Mesazhi është i tiji, nuk diskutohet që është dora e vëllait tim. Nuk di ç’të them më tepër, nuk di kë të akuzoj...Ngjarjen e kam lënë në dorë të organeve kompetente. Ata të vlerësojnë si është e vërteta”, - tha Çopa. Trupi i pajetë i 49-vjeçarit Isa Çopa u gjet i djegur pas mesnatës së të hënës rreth orës 01:00, në plazhin e Currilave në Durrës. Hetimet për zbardhjen e vdekjes së agjentit të SHISH-it po vazhdojnë në të gjitha pistat, duke përfshirë edhe pistën e vrasjes, pas të dhënave të Mjekësisë Ligjore se në pjesën e pasme të kokës së viktimës janë vërejtur shenja dhune. Për këtë ngjarje po hetojnë edhe strukturat përkatëse të Shërbimit Informativ Shtetëror, të cilat duket se po kryejnë një punë të pavarur nga policia dhe prokuroria. Megjithatë, hetimet e deritanishme nuk kanë dalë ende me një version zyrtar mbi shkakun e vdekjes së oficerit 49-vjeçar të Shërbimit Informativ Shtetëror.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›