E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e biznesmenit Kotorri, shpresë tek pamjet e kamerave

TIRANE-E vetmja shpresë për të zbuluar ndonjë gjurmë nga autorët e vrasjes së biznesmenit Hikmet Kotorri janë pamjet filmike të një kamera sigurie të ndodhur pranë vendit të ngjarjes. Burime nga policia bëjnë me dije se janë sekuestruar pamjet filmike të kamerës së një biznesi aty pranë.

Sipas burimeve të sigurta pranë strukturave të policisë, pas ekspertizës së filmimeve, grupi hetimor ka dalë në konkluzionin se pamjet e kamerës së sigurisë janë e vetmja provë që mund të çojë deri në identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes. Sipas grupit hetimor, pamjet kanë qenë të turbullta dhe jo shumë të qarta, por priten ekzaminime të tjera në mënyrë që të arrihet në një konkluzion më të qartë. Sipas burimeve të policisë, ende nuk dihet qartë nëse ka qenë një apo dy autorë dhe se nga cili drejtim janë larguar ata. Madje, grupi hetimor ka dyshimet e veta edhe për atentatorët e ngjarjes, të cilët janë thirrur në rolin e dëshmitarit edhe pranë strukturave të policisë dhe janë mbajtur për disa orë me radhë.

Por burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se edhe pse policia ka dyshimet e saj mbi emrin e atentatorit të biznesmenit Kotorri, ata nuk mund ta vënë gishtin tek askush dhe ta arrestojnë, pasi u mungojnë provat. Për grupin hetimor, një provë e padiskutueshme janë pamjet filmike, të cilat pritet që të hedhin sado pak dritë mbi ngjarjen. Por një provë tjetër janë edhe katër gëzhojat e plumbave që janë gjetur në vendin e ngjarjes, të cilat dyshohet se kanë dalë nga një pistoletë me kalibër të vogël.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›