E Premte, 6 Nëntor 2026

Vrasja e efektivit të policisë në Fier, Alibeaj: Të zbardhet sa më shpejt ngjarja

TIRANË, 13 maj /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka reaguar për vrasjen e efektivit të policisë në qytetin e Fierit.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale Alibeaj, u shpreh se ky është një sinjal i dyfishtë dhe një kambanë alarmi për brishtësinë që ka siguria publike.

Deputeti i PD, i bëri thirrje organeve kompetente të zbardhin sa më shpejt ngjarjen e rëndë dhe përgjegjësi të dalë përpara drejtësisë.

“Vrasja e efektivit të policisë në mes të ditës në qytetin e Fierit, është tregues i brishtësisë që ka rendi dhe siguria publike në Shqipëri. Goditja ndaj punonjësve të rendit publik është një sinjal i dyfishtë dhe një kambanë alarmi shqetësuese për qytetarët e zakonshëm rrugëve të vendit, të cilët janë të pambrojtur dhe nuk e dinë me kë përballen”, u shpreh Alibeaj.

“Njerëz të armatosur qarkullojnë lirshëm në të gjithë vendin dhe kjo është detyrë e organeve ligjzbatuese për të mbrojtur dhe siguruar rendin”, theksoi Alibeaj.

“Partia Demokratike e Shqipërisë i kërkon organeve kompetente të zbardhin sa më shpejt ngjarjen e rëndë të ndodhur në qytetin e Fierit dhe kërkojnë që përgjegjësi të dalë përpara drejtësisë”, vijoi ai.

Veç të tjerash, shton Alibeaj, “rendi dhe siguria publike janë një ndër shkaqet e largimit të njerëzve nga Shqipëria, ndaj Partia Demokratike e Shqipërisë garanton të gjithë qytetarët shqiptarë se në programin e saj qeverisës rendi dhe siguria publike do të kenë prioritete absolute, duke forcuar policimin në komunitet dhe bashkërendimin e një sërë institucioneve së bashku për të minimizuar ngjarje të tilla”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›