Vrasja e gjyqtarit Kalaja, reagojnë institucionet e drejtësisë: Sulm ndaj shtetit ligjor dhe sigurisë publike

TIRANË, 6 tetor/ATSH/ Vrasja me armë zjarri e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, Astrit Kalaja, brenda sallës së gjyqit ku po ushtronte detyrën, ka ngjallur reagimin e ashpër të institucioneve të drejtësisë, që e konsiderojnë këtë ngjarje sulm ndaj shtetit ligjor dhe sigurisë publike.
Gjykata Kushtetuese: Veprim i menjëhershëm për mbrojtjen e sigurisë fizike të gjyqtarëve
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë shprehu tronditjen dhe dhimbjen më të thellë për ngjarjen tragjike që solli humbjen e jetës së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Astrit Kalaja.
Gjykata përcolli ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e tij, duke nderuar kujtimin e një magjistrati që i ka shërbyer me përkushtim e dinjitet drejtësisë.
“Ky akt i rëndë përbën një sulm të drejtpërdrejtë jo vetëm për individin, por edhe për vetë parimet e drejtësisë dhe shtetin e së drejtës”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Gjykata Kushtetuese vlerëson se mbrojtja e të drejtës së jetës, sigurisë fizike dhe institucionale të gjyqtarëve, qytetarëve që kërkojnë drejtësi në këto gjykata dhe e publikut të zakonshëm është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit, që kërkon veprim të menjëhershëm, të vendosur dhe të qëndrueshëm.
“Mbrojtja e gjyqtarëve është mbrojtje e vetë drejtësisë, e pavarësisë së saj dhe e besimit të publikut tek institucionet shtetërore. Në këto momente të dhimbshme, Gjykata Kushtetuese qëndron pranë familjes së të ndjerit, kolegëve të tij dhe të gjithë atyre që po përballen me këtë humbje, duke riafirmuar vendosmërinë për të mbrojtur dinjitetin e gjyqësorit si shtyllë themelore e rendit kushtetues”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila u uron gjithashtu shërim të shpejtë dy qytetarëve të plagosur.
KLP: Vrasja e një magjistrati në sallën e gjyqit, akt i paimagjinueshëm
Këshilli i Lartë i Prokurorisë u shpreh thellësisht i tronditur nga ngjarja e rëndë që goditi sot sistemin e drejtësisë dhe gjithë shoqërinë shqiptare.
Përmes një deklarate për medie, KLP thekson se vrasja e një magjistrati në sallën e gjyqit është një akt i paimagjinueshëm, që përbën jo vetëm një krim ndaj një përfaqësuesi të drejtësisë, por edhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Kushtetutës, shtetit ligjor dhe sigurisë publike në tërësi.
Në këto çaste zie, Këshilli i Lartë i Prokurorisë i përcjell ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve dhe kolegëve të gjyqtarit Astrit Kalaja, duke shprehur solidaritetin e plotë me gjithë trupën e drejtësisë.
KLP shprehet se “kjo tragjedi na kujton domosdoshmërinë e një uniteti të fortë institucional dhe përgjegjësie të përbashkët shtetërore, për të mbrojtur çdo përfaqësues të drejtësisë që shërben në emër të ligjit”.
Gjykata e Lartë: Sinjal alarmi për gjendjen e sigurisë
Po ashtu për ngjarjen ka reaguar dhe trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë, e cila “shpreh tronditjen dhe dhimbjen e thellë për ngjarjen tragjike që solli humbjen e jetës së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Astrit Kalaja, dhe përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e tij”.
“Kjo ngjarje e rëndë është një sinjal alarmi për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin gjyqtarët e Republikës dhe për gjendjen shqetësuese të infrastrukturës në të cilën funksionojnë shumë prej gjykatave shqiptare”, vijon deklarata.
“Në një shtet të së drejtës, gjyqtari duhet të ndjehet i mbrojtur dhe i respektuar në ushtrimin e detyrës së tij, jo vetëm nga pikëpamja fizike e infrastrukturore, por edhe përmes një klime publike të respektit dhe përmbajtjes në gjuhën që përdoret ndaj figurës së tij. Çdo formë denigrimi apo përbuzjeje ndaj gjyqtarit cenon autoritetin e drejtësisë dhe besimin e qytetarëve në shtetin ligjor.
Gjykata e Lartë vlerëson se garantimi i sigurisë fizike e institucionale të gjyqtarëve është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë shtetërore, që kërkon veprim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm. Mbrojtja e gjyqtarëve është mbrojtje e vetë drejtësisë dhe e besimit të publikut tek shteti i së drejtës”, përfundon njoftimi i trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë.
Dhoma e Avokatisë: Goditje për sistemin e drejtësisë dhe shtetin e së drejtës
Dhoma e Avokatisë ka reaguar për ngjarjen e rëndë që goditi sot sistemin e drejtësisë.
“Të tronditur thellësisht nga ngjarja, lidhur me vrasjen në ambientet e gjykatës të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, kolegut dhe mikut tonë Astrit Kalaja, trupa e avokatëve i përcjell familjes ngushëllimet më të thella. Kjo ngjarje është gjithashtu një goditje për të gjithë sistemin e drejtësisë dhe shtetit të së drejtës. Kjo ngjarje, për këdo është një thirrje alarmi për sigurinë, së pari të jetës dhe shëndetit të kolegëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe njëkohësisht një thirrje edhe për avokatët për thellimin e punës për ndërgjegjësimin e palëve në procese penale, civile dhe administrative për ç’ka atyre ju takon ligjërisht dhe për pritshmëritë në proceset ku ata përfaqësojnë palët”, thuhet në reagim.
ILD: Të garantohet paprekshmëria e çdo përfaqësuesi të drejtësisë
Inspektori i Lartë i Drejtësisë shprehu tronditjen e thellë për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në krye të detyrës, brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe plagosja e dy qytetarëve nga të shtënat me armë.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve, kolegëve dhe miqve të gjyqtarit Astrit Kalaja dhe i uroi shërim të shpejtë për të plagosurit e këtij akti kaq të rëndë.
“Tragjedia e sotme, që i mori jetën një magjistrati prek të gjithë trupën gjyqësore, sistemin e drejtësisë, shtetin e së drejtës dhe çdo institucion publik. Siguria duhet të jetë prioritet absolut për të gjithë. Ne institucionet e sistemit të drejtësisë dhe çdo instancë shtetërore ligjzbatuese duhet të angazhohemi pa humbur kohë në garantimin e paprekshmërisë së çdo përfaqësuesi të drejtësisë, që ushtron detyrën në emër të ligjit”, thuhet në njoftimin për shtyp të ILD-së.
Duke shprehur solidaritetin me trupën gjyqësore, ILD inkurajon çdo gjyqtar e çdo prokuror, që përtej ngjarjes së rëndë, të vazhdojë detyrën duke zbatuar ligjin.
KLGJ: Cenimi i integritetit fizik të gjyqtarëve, sulm ndaj shtetit të së drejtës
Këshilli i Lartë Gjyqësor dënoi ngjarjen kriminale të vrasjes, në sallën e gjyqit, dhe në krye të detyrës të gjyqtarit Astrit Kalaja, gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Sipas KLGJ-së, ky akt i rëndë cenon themelet e shtetit të së drejtës, sigurinë e institucioneve të drejtësisë dhe besimin e publikut te gjykatat.
“Këshilli i Lartë Gjyqësor dënon me forcë aktin kriminal të vrasjes së kolegut tonë, si edhe thekson se çdo akt që sulmon, apo cenon integritetin e gjykatave, dëmton gjithçka që ndërtojmë me punë dhe përkushtim”, thuhet në njoftimin për shtyp.
KLGJ thekson se respektimi i pavarësisë dhe sigurisë së magjistratëve është gur themeli i shtetit të së drejtës, përmes të cilit garantohet mbrojtja e të drejtave të gjyqtarëve dhe interesi publik.
Cenimi i integritetit fizik të gjyqtarëve, sipas KLGJ-së përbën sulm të drejtpërdrejtë jo vetëm ndaj magjistratëve, por edhe ndaj shtetit të së drejtës, institucioneve demokratike, si dhe interesit dhe besimit të publikut.
KLGJ dënoi me forcë një akt të tillë kriminal, si dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes, denigrimin e figurës së magjistratit dhe mungesën e theksuar të respektit ndaj veprimtarisë gjyqësore.
“Në këto momente dhimbjeje kolektive ne shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjarët, të afërmit e viktimës dhe kolegët. Këshilli i Lartë Gjyqësor shpreh mirënjohjen e thellë për solidaritetin e treguar në këtë ditë të vështirë, nga të gjitha institucionet, subjektet dhe individët që shfaqën publikisht respektin e tyre ndaj gjyqësorit”, thuhet në njoftimin për shtyp të KLGJ-së.
Gjykata e Apelit: Drejtësia nuk do të trembet, ligji është mburoja më e fortë ndaj çdo akti dhune
Për ngjarjen reagoi edhe Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, ku ushtronte detyrën gjyqtari Astrit Kalaja, i cili u vra në sallën e gjyqit.
“Kjo ngjarje e rëndë është një goditje jo vetëm për komunitetin e drejtësisë, por për të gjithë shoqërinë tonë. Në emër të kolegëve gjyqtarë dhe të gjithë trupës gjyqësore, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen e kolegut të ndjerë dhe për të gjithë ata që ndjejnë dhimbjen e kësaj humbjeje të rëndë. Zemrat tona janë me ta në këtë moment të dhimbshëm dhe solidariteti ynë është i plotë”, thuhet në reagimin për shtyp.
Kjo ngjarje tragjike, sipas Gjykatës së Apelit, “imponon reflektim të thellë mbi nevojën për të forcuar masat e sigurisë në ambientet gjyqësore, duke garantuar mbrojtjen e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, palëve dhe çdo qytetari që hyn në sallat e drejtësisë”.
Sipas Gjykatës së Apelit, siguria është parakusht i pandashëm për ushtrimin e pavarur dhe të paanshëm të detyrës gjyqësore. Ndaj, Gjykata e Apelit kërkon që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masa të menjëhershme për rritjen e nivelit të sigurisë dhe për parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.
“Po aq e rëndësishme është ndalimi i gjuhës së urrejtjes, denigrimit dhe kërcënimit ndaj gjyqtarëve dhe sistemit të drejtësisë. Asnjë shprehje armiqësie, asnjë fjalë që nxit dhunë apo paragjykim ndaj personave që përmbushin detyrën e tyre nuk duhet të tolerohet. Gjuha e urrejtjes nuk është shprehje lirie, por një mjet që ushqen intolerancën dhe dëmton besimin e qytetarëve te drejtësia. Është detyrë e çdo institucioni, politikani, media e çdo përfaqësuesi publik dhe qytetari të ruajë gjuhën e respektit dhe të dialogut”, thuhet në reagimin e Gjykatës së Apelit.
Njëkohësisht, Gjykata e Apelit bën thirrje për reflektim shoqëror, për unitet dhe për respekt ndaj drejtësisë si themel i rendit demokratik.
“Në këtë moment të errët, ne gjyqtarët mbetemi të palëkundur në vendosmërinë tonë për të zbatuar ligjin me integritet dhe kurajë. Drejtësia nuk do të trembet. Ne do të vazhdojmë të shërbejmë me dinjitet, paanshmëri dhe besim të plotë se e vërteta dhe ligji janë mburoja më e fortë ndaj çdo akti dhune apo urrejtjeje. Bashkë në dhimbje, por edhe më të bashkuar se kurrë në përkushtimin tonë për drejtësi”, thuhet në reagimin për shtyp të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Avokati i Popullit: Alarm i rëndë për shtetin ligjor dhe sigurinë publike
Avokati i Popullit shprehu sot tronditjen e thellë për humbjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, ndërsa ngriti me forcë nevojën urgjente për reflektim dhe përgjegjësi institucionale, në çdo hallkë që ka detyrimin të garantojë jetën dhe integritetin e atyre që i shërbejnë drejtësisë.
“Një gjyqtar, përfaqësues i pushtetit të drejtësisë, u vra sot brenda sallës së gjyqit teksa jepte vendimin. Kjo është një nga ngjarjet më të paprecedenta në historinë e drejtësisë shqiptare dhe një alarm i rëndë për shtetin ligjor, për sigurinë publike dhe për shoqërinë tonë”, thuhet në reagimin për shtyp të Avokatit të Popullit.
Përtej vetë veprimit kriminal të ndodhur sot, Avokati i Popullit nënvizon se “kjo ngjarje e rëndë na detyron të kthejmë vështrimin tek rrënjët e një sistemi të mbingarkuar ndër vite, me vakanca të theksuara dhe me një ngarkesë që e ka penguar të funksionojë me eficiencë, jo vetëm në raport me pritshmëritë e qytetarëve, por shpesh edhe nën standardet e periudhës para reformës në drejtësi”.
“Po aq shqetësuese mbetet kultura e munguar ligjore që shpesh e sheh gjykatën si armik, jo si garanci të së drejtës dhe diskursi publik që, në vend të argumentit dhe respektit ndaj ligjit, ushqen mosbesimin, përbuzjen dhe agresionin. Në këtë klimë, drejtësia është e pambrojtur, dhe me të e pambrojtur mbetet edhe vetë shoqëria. Drejtësia nuk mund të ushtrohet nën frikë”, thuhet në reagimin për shtyp të Avokatit të Popullit.
Prokurori i Përgjithshëm: U cenua thelbësisht funksionimi i shtetit ligjor
Prokurori i Përgjithshëm e vlerëson si shumë të rëndë ngjarjen e ndodhur sot në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, e cila përveç se ka sjellë humbjen e jetës së një njeriu dhe plagosjen e dy të tjerëve, në të njëjtën kohë ka cenuar thelbësisht funksionimin e shtetit ligjor.
Prokurori i Përgjithshmëm i përcolli ngushëllimet familjes së gjyqtarit Astrit Kalaja dhe bëri thirrje që të gjithë të ndërgjegjësohen e të kontribuojnë për forcimin e sigurisë së magjistrateve në të gjitha aspektet.
Në këtë drejtim, Prokurori i Përgjithshëm i ka kërkuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, të kryejë një hetim të shpejtë dhe të plotë të ngjarjes në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.
/m.m/a.f/r.e/