Vrasja e gruas, burri fjeti me viktimën dhe vajzat e vogla

Krimi makabër në Orikum të Vlorës sjell dëshmi tronditëse. Bashkëshorti, që masakroi gruan, ka pohuar se ka fjetur dy net me kufomën e gruas shtatzënë, që e vrau me sqepar.
“Mora çfarë gjeta përreth dhe e qëllova në dorë, më pas në kokë me sqepar. Pasi e godita në kokë, ra në shesh afër zjarrit. Ndiznim zjarr në shesh në mes të shtëpisë pasi nuk kishim sobë. Ashtu të përgjakur e mora dhe e shtriva në krevat për të mos e parë fëmijët. Nuk dija si të veproja, por ajo që bëra s’ndreqej më”, ka deklaruar në Polici Shpëtim Çeliku, i cili është detyruar të rrëfejë ngjarjen pas dëshmisë së vajzës 7 vjeçare.
“Unë isha xheloz. Nuk e di pse, por dyshoja se fëmijën që e kishte në bark nuk e kishte me mua, por me rojën e lagjes. Ajo ishte shtatzënë në muajin e gjashtë. Prisnim të vinte në jetë fëmija i tretë. Unë nuk e doja këtë shtatzëni pasi nuk kishim si të ushqenim dy fëmijë, e jo më tre. Më pas filluam grindjet edhe për arsye ekonomike. Ajo u fut në muajin e gjashtë dhe më thoshte se nuk kishte fuqi të shkonte në këmbë në Vlorë dhe të mblidhte kanoçe. Unë i thosha se duhej të shkonte, pasi nuk kishim me se të ushqenim fëmijët”.
Ai trondit me pohimin e tij kur shton se kufomën e ka mbajtur në krevat: “Kam fjetur bashkë me të. Qaja gjithë natën, nuk arrija ta besoja çfarë kisha bërë. Më dukej sikur flinte. Unë fjeta dy net me gruan që e kisha vrarë me duart e mia”, shkruan Tema.
Ndërkohë në dëshminë e 7 vjeçares së tronditur citohet: “Ne nuk e kemi parë kur babi vrau mamin. Por e kuptuam që mami kishte vdekur pasi nuk lëvizte në krevat gjatë natës kur ne po flinim në krevat bashkë me të dhe babin. Më pas, babi na tregoi se mami kishte vdekur. Filluam të qanim, por ai na foli ashpër. Ditën tjetër nuk na la të dilnim jashtë. Na kërcënoi se nëse dilnim, do të na rrihte. Gjatë gjithë ditës kemi ndenjur te trupi i nënës. Disa herë futeshim në krevat se kishim të ftohtë, por dhe ajo ishte e ftohtë. Në mbrëmje fjetëm përsëri të katër në krevat. Në mëngjes babi doli dhe na tha të mos dilnim se do të kthehej shpejt. Por disa orë më pas erdhi policia”
Vrasja e grave në Shqipëri është rritur shumë muajit e fundit./Indeksonline./