Vrasja e ish-policit Gentian Bejtja, Gjykata e Tiranës çon në burg 42-vjeçarin e dyshuar për disa ngjarje kriminale

Gjykata e Tiranës i shqiptoi të martën masën e sigurisë “arrest me burg” 42-vjeçarit Flodian Plaku, i arrestuar në një operacion blic nga Policia e Vlorës pak ditë më parë.
Masat ndaj tij ishte prerë që më 26 korrik të vitit 2024 nga gjykata për akuzën e vrasjes me paramendim të ish-policit të burgjeve Gentian Bejtja në mars po atij viti, në Fushë-Krujë. Plaku, i njohur edhe me mbiemrat Mamo apo Serjani, dyshohet se e qëlloi viktimën me armë zjarri brenda rrethimit të banesës së tij.
Gjatë seancës për njohjen me masën e gjykatës, i akuzuari mohoi të ketë lidhje me ngjarjen. Në momentin e arrestimit ditën e diel, Plaku u gjet i armatosur me pistoletë dhe me fishek në fole gati për qitje. Policia zbuloi edhe 25 mijë euro kesh dhe 7 celularë, ndërsa qëndronte në një hotel në Orikum.
Flodian Plaku u përfaqësua nga avokati i caktuar nga gjykata, Edvis Gorishti. Ai kishte kërkuar një masë më të butë sigurie, por iu refuzua.
/rtsh.al/