Vrasja e kryekomisarit, "arrest në burg" për Ilir Xhakjan

Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Ilir Xhakjan, 38-vjeçari i cili akuzohet për vrasjen e kryekomisarit të Shijakut Adem Tahiri.
Seanca gjyqësore ndaj Xhakjas është zhvilluar me dyer të mbyllura ndërsa prokuroria ka paraqitur edhe provat e hetimit në ngarkim të 38-vjeçarit.
Ilir Xhakja është shoqëruar nga Durrësi drejt Tiranës nën masa të rrepta sigurie nga forcat RENEA dhe policia e Durrësit.
Ngjarja e rëndë u shënua pasditen e së enjtes ku Xhakja ekzekutoi me 5 plumba kryekomisarin Tahiri, pas një debati mes tij dhe nipit të autorit të vrasjes Ledio Krasnaj, 17-vjeç.
Xhakja, ka qëlluar mbi komisarin Tahiri, duke e lënë atë të vdekur në vend ndërsa plumbat plagosën në këmbë edhe një kalimtare.
Ndërkohë forcat e shumta të policisë janë duke kryer aksione për kapjen e autorit të dytë të dyshuar të vrasjes së komisar Tahirit, nipin e tij 17 vjeçar Ledio Krasnaj i cili është shpallur në kërkim nga policia.
Ilir Xhakja rezulton i dënuar për vrasje nga gjykatat shqiptare të shkallës së parë e shkallës së dytë. Me një vendim të datës 27 mars 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda, e dënoi Ilir Xhakjan me 21 vite burg për akuzën e vrasjes por çështja pushoi dhe Xhakja u lirua në vitin 2011.
Më herët Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar të hetohet procedura e ndjekur për lirimin e Ilir Xhakjas, vendim i cili është marrë në mbledhjen e KLD-së pas një urdhëri të nxjerre nga zëvendëskryetari i KLD-së Elvis Cefa.