E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e mikut të Martinaj, Apeli i GJKKO le në fuqi dënimin me 25 vite burg për Blendi Tetën

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi dënimin me 25 vite burg për Blendi Tetën, të akuzuar për vrasjen e Santiago Malkos.

Njoftimi i plotë:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Tereza Merkaj (kryesuese), Valdete Hoxha (anëtare) dhe Edlira Petri (anëtare), sot më datë 04.12.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 60 akti, datë 21.07.2025 regjistrimi.

Kjo çështje është regjistruar pas prishjes nga Gjykata e Lartë të vendimit nr. 32, datë 14.06.2022 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe kthimit për rishqyrtim me një tjetër trup gjykues – disponuar mbi ankimin e paraqitur nga i pandehuri/ankues B.T., ndaj vendimit nr. 05, datë 26.01.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

  1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 05, datë 26.01.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
  2. Shpenzimet e gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurit.
  3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

U shpall në Tiranë, sot më datë 04.12.2025.

Blendi Teta, një prej të dënuarve si pjesëmarrës në vrasjen e ish-policit Santiago Malko, mik i Ervis Martinaj, ngjarje e ndodhur në shtator 2019, gjatë dëshmive të tij në seancat gjyqësore, ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen.

“Unë nuk e kam njohur Santiago Malkon dhe nuk kam lidhje me vrasjen e tij. Atë ditë unë kam qenë për një drekë në zonën e Freskut. Në atë kohë isha menaxher i kompanisë së lotove të vëllezërve Duka për Tiranën. Në drekë isha me Leonard dhe Elis Dukën, Fatmir Hysenin, Oltion Logun, Aleksandër Manxhakun, të gjithë ishim menaxher për qarqe të ndryshme të lojrave të fatit. Nga dreka jam larguar rreth orës 19:45”.

Para Gjykatës, Blendi Teta, gjithashtu ka treguar se pas ngjarjes, është marr peng nga Ervis Martinaj që I ka kërkuar vendndodhjen e dy vëllezërve Duka.

Për vrasjen e ish policit Santiago Malko është dënuar Blendi Teta si bashkëpunëtor me 25 vite burg dhe 28 vite burg Ilir Selmani.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›