E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e policit në Malësi të Madhe, mbi 60 të shoqëruar

Ekzekutimi i policit mendohet të jetë kryer rreth orës 02:30 të ditës së diele, në vendin e quajtur “Foletat e Marshenjt" në fshatin Reç të Komunës së Shkrelit. 41-vjeçari i ekzekutuar, baba i dy fëmijëve, ishte caktuar me shërbim në Malësinë e Madhe, pasi mbrëmjen e së shtunës u festua 60-vjetori i luftës së Reçit, një festë kjo tradicionale që nga koha e komunizmit.

Viktima është gjetur i pajetë pranë motorrit të tij mëngjesin e së dielës nga kalimtarë të rastit, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë. Ekspertët e policisë lokale mendojnë se autori e ka studiuar mirë planin e vrasjes, pasi ajo zonë ishte e shkretë, çka i jepte atij mundësinë e arratisjes pa lënë gjurmë.

Dyshimet e para të policisë hidhen mbi ndonjë sherr të çastit që mund të ketë ndodhur gjatë festës. Nga gjurmët që ka lënë motori, grupi i eksperteve pohon se viktima ka tentuar të largohet nga vrasësi.

Forcat e rendit premtojnë 5 milionë lekë shpërblim për personin që jep informacion për vendndodhjen e ekzekutorëve të efektivit të policisë Rrugore të Shkodrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›