E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja makabre e taksistit, Apeli ‘rrëzon’ gjyqin ndaj autorëve

Në seancën e sotme u tha se vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë, kishte shkelje të shumta procedurale, ndaj çështja do të rigjykohet nga e para. 

Gjatë kësaj seancës, avokatët mbrojtës kërkuan prishjen e vendimit dhe këtë gjë e argumentuan më mosmarrjen parasysh të kërkesave të tyre të ligjshme gjatë atij gjykimi dhe zhvillimit te procesit nën trysninë e vazhdueshme të familjarëve të viktimës.

Përveç kësaj, në gjykim, sipas avokatëve, janë shkelur edhe të drejtat e të akuzuarve, shumica e të cilëve janë nën moshën  për të mbajtur përgjegjësi të plotë para ligjit. Në shkelje të këtyre të drejtave janë dhënë, sipas avokatëve, dënime shumë të rënda.

Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë

Më 2 qershor të këtij viti, Gjykata e Shkallës së Parë, vendosi dënimin me “Burg të përjetshëm” të Elkjero Revanit, 16 vite burg për bashkëpunëtorin e tij Arnest Xhaçka , 8 vjet burg për Domeniko Kumrian, 5 vjet burg për Kastriot Paplekën dhe nga 6 muaj burg për Jurgen Zeqon dhe Amarildo Selmanin. Pra, një dënim me burg të përjetshëm dhe 30 vjet burg për gjithë bashkëpunëtorët e autorëve të vrasjes makabre të taksistit Fredi Talelli. Këto dënime ishin  edhe më të rënda se sa kërkesat e bëra një javë më parë nga pretenca e prokurorit të çështjes, Edmond Shytka, çka u kërkua edhe nga familjarët e taksistit të vrarë.

Vrasja e taksistit

Vrasja e taksistit Fredi Talelli nga Bilishti ndodhi në 31 nëntor të vitit të kaluar. Dy nga të pandehurit Elkjero Revani dhe Arnest Xhaçka, rrëmbyen taksistin për ta vjedhur dhe më pas e vranë. Trupin e tij, pasi e kishin qëlluar me një shkrehje automatiku, e masakruan me çekan për të mos u identifikuar. Pas krimit makabër, trupin e pajetë e hodhën në dalje të fshatit Koritë. Mjetin e gjetën në lumin Shkumbin dhe një javë pas zhdukjes u gjet edhe trupi i pajetë i viktimës. Për të fshehur provat e krimit dy vrasësit bashkëpunuan me katër shokë të tyre në Elbasan e Lezhë. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-11-07 17:04
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›