E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja në Krrabë, prokurorët në pyetje babain dhe gruan e Fiqiriut

TIRANE-Hetuesit zbarkojnë në familjen e Fiqiri Muçës në Manzë të Durrësit për të marrë dëshmitë e babait dhe gruas së të ndjerit. Për më shumë se dy orë, Zyber Muça, babai i viktimës dhe e shoqja, Mynyrja, u kanë rrëfyer oficerëve të policisë gjyqësore, gjithçka dinin rreth historisë mes Fiqiriut dhe Nazime Vishës, vajza e cila ka marrë përsipër autorësinë e ekzekutimit të babait të pesë fëmijëve. Zyber Muça, ka hedhur dyshime të forta për autorësinë e vrasjes së të birit. I moshuari u tha hetuesve se në vrasjen e Fiqiriut kanë gisht pjesëtarët e tjerë të familjes Visha, duke "shfajësuar" në këtë mënyrë Nazimen.
Pas Zyberit, ishte Mynyrja, gruaja e Fiqiri Muçës që rrëfeu marrëdhëniet me bashkëshortin e ndjerë, njohjen me pjesëtarët e familjes Visha, dyshimet që i kishin lindur për lidhjen e krijuar mes të shoqit dhe Nazime Vishës. Pas marrjes së dëshmive, hetuesit kanë sekuestruar dhe telefonin e Fiqiri Muçës, ku ndodhen të gjitha mesazhet intime që dyshohet se Nazime Visha i kishte dërguar atij muaj më parë.
Frika e Vishajve
Në shtëpinë e Behar Vishës ndihet klima e tensionit dhe ankthit. Vrasja e Fiqiri Muçës, mikut të familjes nga e bija, Nazime Visha, e cila gjendet prapa hekurave nën akuzën e vrasjes, i ka shtuar dhe më shumë hallet e kësaj familjeje. Babai i Nazimes, Beqiri, shprehet se ka një javë që nuk komunikon me të bijën, Lutfijen, të cilën prej disa vitesh e ka martuar me Vladimir Muçën, vëllain e viktimës Fiqiri Muça. "Kam një javë që nuk flas me Lutfien. Nuk di asgjë për fatin e saj. Është dhe shtatzënë dhe nuk di si është gjendja e vajzës", - tha Beqir Visha, teksa shpreson që në familjen Muça, të mos i ndodhë asgjë e keqe, pas gjithë historisë së rëndë që u trokiti në derë.

Por, bashkëshorti i Lutfies, Vladimir Muça, tha se jeta mes tyre shkon si mos më mirë dhe vrasja e Fiqiriut nuk ka ndikuar aspak në marrëdhënien e tij me të shoqen. "Shkojmë shumë mirë bashkë. Jemi në fshat me djalin. Asgjë nuk ka ndikuar në marrëdhënien tonë", - tha Vladimiri, duke hedhur poshtë çdo mundësi se të shoqes mund t'i ndodhë ndonjë gjë e keqe, në shenjë hakmarrjeje ndaj vrasjes së vëllait.

Fiqiri Muça u ekzekutua një javë më parë në fshatin Krrabë, ku kishte mbërritur për të marrë prej andej Nazime Vishën. Vajza pretendon se e vrau për shkak se Fiqiriu e kishte përdhunuar dhe abuzuar seksualisht për vite me radhë, më pas e kishte rrëmbyer e ndarë nga i fejuari pas shumë shantazhesh e kërcënimesh.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›