E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja në Mallakastër, arrestohet një nga hajdutët, shok i viktimës

Gazeta Shqip

Policia

Identifikohen edhe disa të tjerë, që shpallen në kërkim. Vidhnin banesa në zonë

vrasja ne mallaksterThirrjet telefonike të kryera në telefonin e 21-vjeçarit Ildjon Alushaj, i vrarë pas mesnatës së të premtes në oborrin e një banori të fshatit Ngraçie, teksa po tentonte një vjedhje dhe hetimi operativ i policisë së Mallakastrës në bashkëpunim me atë të Fierit, ka bërë të mundur edhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë që arritën të largohen. Lajmi u bë i ditur nga burime të Policisë së Fierit, të cilat sqaruan se është bërë ndalimi i 26-vjeçarit Roland Zeqiraj nga qyteti i Patosit për veprën penale të vjedhjes së mbetur në tentativë dhe kanë shpallur në kërkim tre persona të tjerë, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për arsye të sekretit hetimor. Burime të gazetës pohuan se në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, policia ka siguruar emrat e të ndaluarit dhe tre bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar, ndaj të cilëve është kryer një hetim special, ku mësohet se janë siguruar prova për implikimin e tyre në tentativën e vjedhjes. Sipas burimeve, viktima 21-vjeçar dhe katër shokët e tij dyshoheshin prej kohësh për vjedhje të ndryshme. Alushaj e kishte origjinën nga fshati Belishovë dhe dyshohet se në bashkëpunim me personat e tjerë të shpallur në kërkim dhe të ndaluarin Zeqiraj kryenin vjedhje nëpër fshatrat e Mallakastrës, zonë të cilën e njihnin mirë. Por ora 01:00 e së shtunës ka qenë fatale për një prej hajdutëve të dyshuar. Sipas policisë, kur pesë të rinjtë kanë shkuar pranë shtëpisë së Ylli Kapllanajt në fshatin Ngraçie të Mallakastrës, i zoti i shtëpisë ka dëgjuar zhurmat dhe ka marrë masa për të mbrojtur banesën. Kapllanaj ka rrëmbyer një automatik tip kallashnikov që kishte në banesë dhe ka qëlluar që prej derës së verandës, duke lënë të vdekur në vend një prej djemve në oborrin e shtëpisë së tij. Pasi ka konstatuar se i riu kishte ndërruar jetë, 47-vjeçari Kapllanaj ka lajmëruar menjëherë policinë. Pas hetimeve paraprake policia ka vendosur të kryejë arrestimin në flagrancë të Kapllanajt, për veprën penale të vrasjes së kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme dhe armëmbajtjes pa leje. Sipas banorëve të zonës, që prej shkarjes masive të një faqe kodre në fshatin Ngraçie dhe braktisjes së rreth 50 banesave që u bënë të rrezikshme për të banuar, ka pasur disa herë vjedhje të tyre. Ata kanë shtuar se muajin e fundit nisën ti ruanin me radhë banesat, pasi rastet e vjedhjeve u shpeshtuan. E.Hoxha

Vrasja në Mallakastër, arrestohet një nga hajdutët, shok i viktimës burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›