Vrasja në Shkodër, autori i ngjarjes kushëri me viktimën, vetëdorëzohet pak orë pas krimit

Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur fshatin Abat të Njësisë Administrative Shalë, në Shkodër, mbrëmjen e së enjtes, ku një 61-vjeçar humbi jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri. Viktima u identifikua si Piro Prroni, ndërsa autori i dyshuar i vrasjes është kushëriri i tij, Ndoc M., i cili pak orë pas ngjarjes së rëndë u vetëdorëzua në Polici.
“Dyshohet se vrau me armë zjarri pistoletë, 61-vjeçarin, për motive të dobëta, arrestohet 58-vjeçari, i cili u vetëdorëzua disa orë pas ngjarjes, bashkë me armën e krimit.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit vunë në pranga shtetasin N. M., 58 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ky dyshohet se dje, në fshatin Abat, Shalë, ka vrarë me armë zjarri pistoletë, për motive të dobëta, shtetasin P. P., 61 vjeç, banues në fshatin Abat”, thuhet në njoftim.
Sipas burimeve zyrtare, ngjarja ndodhi pas një konflikti të mëparshëm për pronësinë mes dy kushërinjve, i cili përfundoi tragjikisht kur Maçaj dyshohet se qëlloi me armë zjarri ndaj Prronit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas krimit, autori u largua nga vendi i ngjarjes, për t’u vetëdorëzuar vetëm pak orë më vonë.
/RTSH/