E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Vrasja në Shkodër, dëshmia e autorit: Më nxori nga shtëpia, arma nuk ishte e imja

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e shtetasit Petrit Vuksani dy ditë më parë në Shkodër. Autori i dyshuar Lekë Vuksani tashmë i arrestuar nga policia ka dhënë dëshminë për oficerët e policisë ku ka deklaruar se njihej me viktimën pasi të dy janë nga Dukagjini dhe se i kishte marrë shtëpinë me qira prej disa kohësh. Ai pohon vrasjen në debat e sipër, por mohon që arma të ishte e tij.

“Me Petritin jemi njohur sepse edhe ai është nga Dukagjini. I kam marrë shtëpinë me qira duke qenë se ndodhej në Angli. Muajt e fundit kemi patur disa debate për qiranë e shtëpisë por edhe për pagesat e ujit dhe të energjisë elektrike. Atë ditë kur ndodhi vrasja Petriti erdhi dhe më nxori nga shtëpia. Unë u ktheva dhe e gjeta vetëm.  Aty kemi debatuar dhe në debat e sipër gjeta një automatik që nuk është i imi por i Petritit. Në debat e sipër kam marrë armën dhe e kam qëlluar”, dëshmoi autori.

Në polici ka dëshmuar edhe gruaja, në banesën e së cilës nën kërcënimin e armës Lekë Vuksani  iu fsheh policisë për disa orë.

“Leka erdhi në banesën time dhe u fut brenda pasi më kërkoi t’i hapja derën. Kur u fut shoh që kishte armën në dorë dhe nuk dija si të veproja. Më tha se nuk do të bëj asgjë ndaj mos u tremb, kam ardhur vetëm për të qëndruar këtu. Nuk e dija se çfarë të bëja sepse ishte errësirë.  Më tha që të mos tregoj se ndodhej aty deri sa erdhi policia dhe e arrestoi. Pavarësisht se më tha që të mos kem frikë, isha e frikësuar edhe pse gjatë kohës që qëndroi kishte sjellje normale”, tha ajo.

21 orë iu deshën Policisë së Shtetit që të gjente dhe vinte në pranga autorin e vrasjes së 51-vjecarit Petrit Vuksani brenda banesës së tij mesditën e të martës në Shkodër.

Përgatiti: Gazetar Mirsad Rakaj

/rtsh/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›