Vrasja në Shkodër, policia: Në kërkim bashkëpunëtorët e autorit, zbulohet bazë armësh

TIRANË, 9 shtator /ATSH/ Policia e Shkodrës njoftoi sot se ka vijuar hetimet për ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në një lokal në lagjen “Qemal Stafa”, ku shtetasi R. G. qëlloi me armë zjarri dhe si pasojë humbën jetën 2 shtetas dhe u plagosën 2 të tjerë.
Në kuadër të këtyre hetimeve u arrestua në flagrancë shtetasi R. G., 28 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhja me armë”, “Shkatërrimi i pronës”, ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.
Gjithashtu u sekuestruan “2 armë zjarri (1 automatik dhe 1 pistoletë me fishek në fole), 1 skafandër, 1 maskë, 1 jelek antiplumb dhe 1 shishe 1.5 l e mbushur me lëndë djegëse, që iu gjetën shtetasit R. G si dhe automjeti që ky shtetas vodhi nën kërcënimin e armës, për t’u larguar nga vendi i ngjarjes dhe motomjeti pa targë dhe pa numër shasie, që ai la në vendin e ngjarjes”.
Gjithashtu sipas policisë u shpallën në kërkim shtetasit B. B. alias B. B., 39 vjeç, dhe një 17-vjeçar, për veprat penale ”Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.
“Gjatë kontrollit në banesën e një shtetaseje (e cila jeton jashtë vendit), të cilën këtë shtetas e përdornin si bazë për këtë aktivitete kriminale, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar: 1 armë zjarri automatike dhe 6 armë zjarri pistoleta, një sasi municioni luftarak, 45 kapsolla detonatore elektrike, një automjet tip “Audi” me targa të vjedhura në qytetin e Lezhës, 5 dronë të madhësive të ndryshme, pajisje shtesë për dronë, 1 laptop dhe 5 aparate fotografike”, njoftoi policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.
/m.q/j.p/