E Hënë, 2 Nëntor 2026

Plaku: Projekt pilot për targetimin e tregjeve në bashkëpunim me ambasadat

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Drejtoresha e Agjencisë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA), Laura Plaku, deklaroi sot se ambasadorët shqiptarë nëpër botë luajnë një rol kyç në ndërmjetësimin ekonomik dhe në nxitjen e investimeve drejt Shqipërisë.

Në fjalën e saj gjatë panelit “Diplomacia e zgjuar dhe zhvillimi i qëndrueshëm: Pozicionimi i Shqipërisë si një destinacion i përgjegjshëm dhe inovativ”, të zhvilluar në kuadër të konferencës 3-ditore të ambasadorëve shqiptarë në Tiranë, Plaku theksoi se për të lehtësuar misionin e tyre në këtë ndërlidhje, platforma digjitale E-Invest është rivitalizuar dhe përmirësuar, dhe do të vihet në funksion në muajin tetor.

Kjo platformë, sipas saj, do të shërbejë si një mekanizëm i rëndësishëm për koordinimin e informacionit dhe gjurmimin e çdo interesi të investitorëve të huaj.

Drejtoresha e AIDA-s nënvizoi se është ndjerë nevoja për të pasur një mekanizëm të tillë të unifikuar, në mënyrë që ambasadat dhe institucionet e tjera të jenë të gjitha në një nivel të njëjtë informacioni dhe të lehtësohet ndërveprimi me investitorët e huaj.

“Platforma E-Invest është rivitalizuar dhe përmirësuar. Në tetor do të jetë aktive për t’u përdorur që të jemi në një nivel informacioni të gjithë. Ambasadorët janë furnizuesit kryesorë, ashtu si ministritë ku secili hedh një interes të caktuar që mund të ketë identifilkuar te një investitor. Në momentin që hidhet në platformë, kemi mundësinë të shikojmë se çfarë ndodh me atë interes, ku kemi shkuar? Dhe i gjithë rrugëtimi i një interesi konkret shikohet i ilustruar në një platformë”, deklaroi Plaku.

Gjithashtu, Plaku bëri të ditur se është hartuar edhe një projekt pilot për misionin e targetimit, i cili do të zhvillohet në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ambasadat dhe ministritë sektoriale.

“Ky mision do të synojë disa shtete të caktuara, të përzgjedhura në bazë të potencialit për investime dhe lidhjeve ekzistuese me Shqipërinë. Qëllimi është të kemi një plan konkret, me objektiva të detajuara dhe të qarta, në mënyrë që të dimë saktësisht në cilin drejtim do të fokusohemi në një periudhë të caktuar. Pas fazës pilot, misioni do të shtrihet gradualisht edhe në shtete të tjera”, tha Plaku.

Ajo shtoi se, paralelisht me këtë, platforma e eksporteve është funksionale dhe do të pasurohet më tej, për të lehtësuar ndërveprimin mes bizneseve shqiptare dhe kompanive të huaja. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›