E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Mosnjoftimi nga arkitektët i deformimeve në projekt, do konsiderohet vepër penale

TIRANË, 9 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se në rastet kur deformohet projekti i ndërtimit, do të konsiderohet vepër penale edhe mosnjoftimi nga ana e arkitektëve i autoriteteve përkatëse shtetërore.

Duke folur për paketën e masave ligjore për mbrojtjen e pronës dhe territorit, Rama u ndal te përgjegjësia e arkitektëve në këtë proces.

Sipas kryeministrit, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të bllokohet zinxhiri, sepse ndërtuesi nuk operon në vetmi, por në bashkëpunim me arkitektët.

“Nën stresin dhe presionin e ndërtuesve, arkitektët pranojnë deformimet dhe nuk njoftojnë autoritetin përkatës shtetëror, siç ndodh në gjithë botën. Ky mosnjoftim do të konsiderohet vepër penale dhe pjesëmarrje në një vepër penale”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se “arkitekti do të humbasë gjithçka nëse pranon deformimin e projektit”.

“Nëse arkitekti nuk ka as krenarinë dhe karakterin që të thotë: ‘Stop, se unë shkoj dhe të denoncoj nëse ti lëviz jo 3 mijë metra katrorë por 1 m2 nga projekti im’, kjo është në një anë fatkeqësia e tij, por nga ana tjetër nuk është një pikturë që ti pranon të vijë dikush dhe të fusë duart, se në fund të ditës mbetet një pikturë, por është një pasuri të cilën e kanë blerë të tjerët. Nuk është çështje pasojash imediate, por pasojash në gjenerata”, u shpreh Rama.

Kryeministri u shpreh se “nuk mund t’i lëmë gjeneratave godina të deformuara nga shija vulgare e atyre që numërojnë vetëm metrat katrorë dhe kanë më shumë vetura se çorape”.

“Si mund t’i veshim godinat e qytetit si zhele?! Si mundet që fasadat të projektuara nga arkitektë ndërkombëtarë të merren e të transformohen në fasada të bëra shkel e shko nga ndërtues që, jam i bindur, nuk dallojnë më shumë se katër ngjyra?! Është e patolerueshme! Në çdo fazë të projektit kjo nuk do të lejohet”, shtoi Rama. /j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›