E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në dasmë, vjen nga Franca, Xhepexhiu

 

TIRANE – Ekstradohet nga Franca Dritan Xhepexhiu, 22-vjeçari i dënuar me 16 vjet burg për vrasjen e ndodhur më 8 gusht 2005, gjatë një dasme në qytetin e Gramshit. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të policisë së shtetit, sipas të cilave, Xhepexhiu ishte arrestuar nga policia franceze pasi Gjykata e Gramshit, me vendim nr.30, datë 13 nëntor 2006 e ka dënuar me 16 vjet heqje lirie, për veprën penale të “vrasje me dashje” në bashkëpunim dhe “plagosjes me dashje”. Sipas vendimit të gjykatës, në datën 8 gusht 2005, në orën 21:00, në qytetin e Gramshit, Dritan Xhepexhiu dhe Saimir Xhepexhiu janë ulur në një lokal ku po zhvillohej një dasmë. Në këtë lokal ka qenë dhe Durim Hoxha, i cili ka qëndruar aty deri rreth orës 01:30, pas mbylljes së lokalit. Në këtë kohë, për shkak se protagonistët e ngjarjes kishin konsumuar alkool ka filluar një grindje mes Durim Hoxhës që ishte bashkë me Arjol Xhangollin dhe Dritan Xhepexhiut që shoqërohej nga Saimir Xhepexhiu. Gjatë përleshjes me mjete të forta, ka mbetur i vrarë Durim Hoxha, ndërsa është plagosur Arjol Xhangolli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›