Vrasja para zgjedhjeve të 2021, Prokuroria kërkon 25 vite burg për ish-efektivin e RENEA-s Arbër Paplekajn

Prokuroria e Elbasanit kërkon dënim me 25 vite burg për Arbër Paplekajn, ish-efektivin e RENEA-s që akuzohet për vrasjen e aktivistit të Partisë Socialiste Pjerin Xhuvanin, 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021.
Në seancën e radhës gjyqësore, Prokuroria ka paraqitur konkluzionet përfundimtare duke i qëndruar akuzës për veprën penale të vrasjes në rrethana cilësuese.
Sipas Prokurorisë, vrasja erdhi pas një konflikti për motive politike i cili degradoi në përdorimin e armëve.
Struktura për mbrojtjen e votave e ngritur nga Partia Demokratike bllokoi disa aktivistë të Partisë Socialiste me pretendimin se ata po blinin vota në këmbim të parave.
Në vendngjarje mbërritën edhe forcat e policisë dhe dy zv/drejtorët që nuk mundën ta parandalonin krimin, ndaj janë nën akuzë për shpërdorim detyre. Për këta të fundit prokuroria kërkoi dënimin me nga 16 muaj shërbim prove ndërsa për 6 punonjës të tjerë të policisë nga 8 muaj shërbim prove.
Paplekaj e pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga personat në konflikt.
Seanca e radhës u caktua të mbahet më 7 korrik ku Paplekaj do të bëjë mbrojtjen dhe më pas pritet të merret vendimi nga gjykata e Elbasanit.
Gazetar: Kreshnik Mersinllari
/rtsh/