E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja për hakmarrje në Selenicë, ndalohet 39-vjeçari

VLORË- Policia e Vlorës ndaloi sot një 39 vjeçar, i cili dyshohet të jetë një nga autorët e ngjarjes së mbrëmjes së pak ditëve më parë, ku mbeti i vrarë shtetasi, Baftjar Llanaj.

Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur se, „Ardian Azizi, nga Selenica dyshohet të jetë një nga autorët e ngjarjes, që ndodhi mbrëmjen e datës 14 qershor, në aksin rrugor Vlorë-Selenicë, në vendin e emërtuar "Bishti i Malit", 25 km në lindje të qytetit".

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi dyshohet në bashkëpunim me shtetasin Fatmir Petraj, ka vrarë për për motive hakmarrjeje 62-vjecarin Baftjar Llanaj.

Viktima ishte duke udhëtuar me automjetin e vet tip "Mercedes-Benz" me targa të Vlorës, kur është qëlluar me armë automatike. Sipas policisë nga të shtënat me armë zjarri mbeti i plagosur aksidentalisht edhe shtetasi Fatmir Petraj, i cili ndodhet për trajtim mjekësor në spitalin Ushtarak Tiranë, jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja e mësipërme, lidhet me një vrasje të kryer në vitin 1997, ku kanë qenë protagonistë djali i viktimës, Llanaj dhe vëllai i të plagosurit Petraj, i cili u ndalua menjëherë pas kësaj ngjarjeje. Mësohet se policia po punon për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›