Vrasja për pronësinë, palët në konflikt ballafaqojnë dokumentet
Grupi i hetimit, krijuar pas ekzekutimit të dy ditëve më parë në Mallakastër për motive pronësie, ka vijuar dje me një sërë verifikimesh në dokumentacion për të dyja familjet e përfshira në këtë konflikt. Pak orë pasi ndodhi krimi, të dyja familjet kishin pretenduar se posedonin dokumentacion të rregull të sipërfaqes së tokës për të cilën u çel konflikti.
Ndërsa autori i kësaj ngjarjeje të rëndë, Përparmim Merkaj mësohet ti ketë thënë viktimës se e kishte pronë të babait, dje ka rezultuar nga të afërmit e tij se Merkaj e ka në pronësi këtë tokë, në bazë të ndarje së tokës sipas ligjit 7501 që do të thotë se e ka me tapi. Por të afërmit e viktimës Aliko Malaj dhe vetë viktima përpara se të përshkohej nga plumbat kanë deklaruar se e kanë të hipotekuar këtë pronë. Të gjitha këto deklarata të të afërmve të dy familjeve si dhe të të arrestuarit e kanë bërë policinë e Mallakastrës të rrëmojë thellë në verifikimin e këtyre dokumenteve. Kështu, nga familja e autorit janë marrë dokumentet që familjarët kanë treguar ndërsa po verifikohen pronësitë edhe në hipotekë. Por edhe me dëshmitë e dhëna nga familjarët ende nuk ka ndonjë rezultat konkret të hetimit nga policia. Sipas këtyre të fundit, do të pritet që të verifikohen deri në detaje të dyja dokumentet, por kjo nuk do të thotë, sipas bluve që kjo mund të zbusë dënimin e Merkajt, i cili do të merret mbi akuzën e vrasjes së paramenduar. Ndërkohë burime nga grupi i hetimit tregojnë se të dy bashkëfshatarët mund të kenë pronësi toke tek e njëjta sipërfaqe, por ndoshta mungesa e vendosejes së kufijve i ka çorientuar duke i bërë që të ngatërrohen edhe me pak metra. Sidoqoftë ky është një detaj që po hetohet dhe nuk bëhet e ditur se sa ishte në të vërtetë e gjithë sipërfaqja për të cilën pretendohet. Burimet zyrtare të Komisariatit të Policisë së Ballshit tregojnë se 60 vjeçari Aliko Malaj është qëlluar pas shpine dhe ka marrë dy plumba, një në shpatull e një në ije. Më pas autori është larguar, duke lënë të moshuarin të shtrirë mbi një pellg gjaku. Aktualisht Përparim Merkaj ndodhet në dhomat e paraburgimit në ambientet e komisariatit të Ballshit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e vona të pasdites së mërkurë, kur Aliko Malaj ka debatuar me 36 vjeçarin Përparim Merkaj, ndërsa ky i fundit në gjaknxehtësi e sipër ka qëlluar me armë zjarri mbi të, duke e lënë në vend të vdekur. Mësohet se të dy shtetasit janë nga fshati i thellë i Poçemit të Mallakastrës dhe se prej vitesh jetonin aty.