E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasje me armë në Durrës, policia parandalon një vrasje në Shijak

Një vrasje me armë zjarri është shënuar paraditen e sotme në qytetin e Durrësit.

Ngjarja e rëndë është shënuar në lagjen 18 të qytetit bregdetar ku një i ri, identiteti i të cilit nuk bëhet ende i ditur është qëlluar me armë në rrethana ende të panjohura.

Dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes disa të rinjve ndërkohë që pritet që në orët në vijim policia të japë më shumë informacione për ngjarjen.

Ndërkohë më herët forcat e policisë së Shijakut bënë të mundur parandalimin e një vrasjeje ndërsa arrestuan edhe autorin e ngjarjes.

Pas marrjes së një një telefonate në Sallën Operative se në fshatin Gjepalaj një shtetas po qëllonte me armë zjarri në drejtim të banesës së 52-vjecarit B.Gj., në vend shkuan menjëherë shërbime të këtij Komisariati, të cilët lokalizuan në afërsi të banesës, të armatosur 37-vjeçarin Blerim Gjepali, banues në këtë fshat.

Menjëherë forcat e policisë arritën të vendosin negocim me shtetasin e armatosur i cili paraqiste shkallë të lartë agresiviteti ndërsa më pas efektivat e policisë ndërhynë duke bërë të mundur neutralizimin e 37-vjeçarit.

Paraprakisht, nga verifikimet e para mendohet se ngjarja ka ndodhur për motive tejet banale (mosdhënia e një shume parash borxh autorit nga djali i të dëmtuarit).

Me sigurimin e vendit të ngjarjes, aktualisht po vijohet me kryerjen e veprimeve të para. Ndërkohë, po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes .

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›