Alarmi për listat, 400 mijë votues pa adresë, 2 muaj para zgjedhjeve
Vendimi
KQZ hakmerret ndaj Metës, i heq anëtarin në KZAZ, nuk ia jep sipas ligjit i cili ia atribion partisë së dytë të opozitës
BLEDAR HOTI
Kur kanë mbetur më pak se 60 ditë deri në zgjedhjet e 23 qershorit, sërish vazhdon të mbetet dramatike çështja e listave, ku një pjesë e mirë e regjistrit civil nuk është i identifikuar dhe mbetet në të dhëna të pasakta. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka debatuar dje për raportet e dy auditeve për ekstraktin e listave të zgjedhësve. Shkak janë bërë si përherë shifrat e ndryshme të dhëna nga auditët të propozuar në KQZ nga PS-ja dhe PD-ja. Dashamir Çali, në raportin e tij, bën të ditur se janë 679 familje të dyshuara si të dubluara. Ai bëri të ditur se janë të dyshuar 33 680 dublime, ndërsa ngriti shqetësimin për mbi 400 mijë zgjedhësit që nuk kanë adresë. Statistika e dinamikës e përbërësve zgjedhorë: 403 387 zgjedhës pa adresë, e etiketuar me Kodin 0, 000, 888, 999. Rezultojnë 3471 raste, janë zgjedhës të shtuar. Për këto shtesa, DRPGJC duhet të japë shpjegime se nga kanë ardhur, shkruan auditi i PS-së, Çali, në raportin e tij. Ndërkohë që një raport krejt tjetër ka dhënë auditi i PD-së në KQZ, Genti Malko, duke rrëzuar shifrat për dublime. Ai i qëndroi idesë se ka vetëm 400 mijë zgjedhës pa adresë. Në total, numri i të dyshuarve si të dubluar të paverifikuar është 2948, dublime të papastruara 131, thuhet në raport. Ndërkohë që dy auditët kanë replikuar për metodologjinë që po ndjekin në gjetjen e pasaktësive. Përfaqësuesi i PS-së, Genci Gjonçaj, në fjalën e tij ngriti akuza ndaj Ministrisë së Brendshme për mënyrën sesi po vepron me procesin e hartimit të listave. Kemi 400 mijë votues pa adresë, kemi 16 mijë persona jashtë listave. Duhet të kemi të dhëna të sakta për personat që kanë ndryshuar emrat dhe kanë bërë pasaporta të reja. Kjo tregon se Ministria e Brendshme nuk e ka kryer detyrën si duhet dhe ka vënë në pikëpyetje regjistrin e zgjedhësve. Por të jeni të sigurt se PS-ja është e vendosur dhe nuk do të lejojë asnjë manipulim të zgjedhjeve, tha Gjonçaj.
KZAZ
Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon anëtar në komisionet e niveleve të dyta dhe të treta, duke kërkuar largimin nga ky përfaqësim i PBDNJ-së. Një kërkesë e tillë është bërë në mënyrë indirekte nga nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani, në mbledhjen e djeshme të KQZ-së gjatë shqyrtimit të kërkesës së Partisë Republikane për të marrë komisioner në KZAZ dhe KQV si pjesë e balancimit politik. Republikanët kërkuan që LSI-së ti hiqet anëtari i përfituar në kohën kur ishte në koalicionin qeveritar, pasi tashmë me daljen e saj në opozitë, është PR-ja parti e dytë e shumicës parlamentare. Në fjalën e tij, Manjani e ka cilësuar si gjysmë hileje aktin e propozuar në KQZ-ja për ndryshim të balancës politikës, në KZAZ dhe në KQV, duke i kërkuar kryekomisioneres Lleshi që të bëhet një rregullim i plotë për vendimin numër 1 të KQZ-së, duke nënkuptuar heqjen e anëtarit të KZAZ-së dhe KQV-së së PBDNJ-së. Mbledhja nisi fillimisht me kërkesën e përfaqësuesit të PS-së, Genc Gjonçaj, i cili kërkoi që vendimi për kërkesën e PR-së për marrjen e anëtarit të KZAZ-ve dhe KQV, duke ia hequr LSI-së, të shtyhej. Ai e argumentoi kërkesën me faktin se ende nuk janë kristalizuar koalicionet politike. E cilësoj të drejtë një kërkesë të tillë; le ta bëjmë pas datës 23 prill, kur të kristalizohen koalicionet politike, tha Gjonçaj. Por përfaqësuesi i PD-së, Kosovrasti, e rrëzoi një pretendim të tillë, duke theksuar se kjo nuk bën fjalë për koalicionet politike, por mes shumicës dhe opozitës parlamentare. Në fund trupa e KQZ-së, e përfaqësuar vetëm nga mazhoranca, nuk pranoi të rregullonte në themel vendimin numër 1, duke ndryshuar raportin mes LSI-së dhe PBDNJ-së në KZAZ. Me katër vota pro, KQZ-ja e pranoi pjesërisht kërkesën e PR-së, duke i dhënë të drejtën vetëm për anëtar në KZAZ.
Alarmi për listat, 400 mijë votues pa adresë, 2 muaj para zgjedhjeve burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email