Vrasje në Tiranë, ekzekutohet Arjan Selimi

Ekzekutohet me armë zjarri, ish i dënuari për trafik ndërkombëtar droge, Arjan Selimi. Ngjarja ka ndodhur në kryeqytet rreth orës 19:20 minuta, në afërsi të ish parkut të autobusëve, pranë pallateve të kësaj zone, ku banonte edhe viktima. 37-vjeçari, Selimi është qëlluar me armë zjarri, teksa ka dalë nga banesa e tij, në rrugën “Babë Rexha”.
Nga të shtënat e armës, ka mbetur i plagosur edhe 20-vjeçari Kledis Kola, i cili është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, dhe mësohet se është në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia ka nisur verifikimet dhe hetimin për zbardhjen e ngjarjes.
Selimi është dënuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, dhe është arrestuar, në sajë të operacionit të koduar “Kompast”. Selimi është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe është lënë i lirë disa muaj më parë. Arjan Selimi, ishte biznesmeni me origjinë nga Shkodra, që për një kohë të gjatë ka jetuar në Amerikë.
Ai njihet dhe si i fejuari i këngëtares Inis Gjoni. Gjykata e ka cilësuar Selimin si kreun e rrjetit të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë, e cila më pas trafikohej në vende të tjera.