Vrasje në Vaun e Dejës, ekzekutohet 65-vjeçari, policia dyshon për hakmarrje

Një vrasje ka ndodhur sonte rreth orës 21:00 në fshatin Paçram të Vaut të Dejës. Viktima është identifikuar si Frrok Lleshaj, 65 vjeç, i cili u gjet i pajetë në rrugë nga një kalimtar. Policia dyshon se ai është qëlluar me armë zjarri.
Sipas burimeve të policisë, viktima ka qenë më parë i dënuar për vrasje, gjë që e bën pistën kryesore të hetimit atë të hakmarrjes.
“Rreth orës 21:00, në fshatin Paçram, Vau i Dejës, në rrugë është gjetur pa shenja jete shtetasi F. Ll., 65 vjeç, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri. Shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje.”, njofton policia.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Ngjarja e rëndë ka tronditur zonën, ndërsa hetimet vijojnë intensivisht për të zbuluar motivin e vrasjes.
/rtsh.al/