E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 janari, nesër vendimiPrendi e Llupo: Të pafajshëm

Të tjera rreth shkrimit Akuza: Të dënohen 48 vjet burg TIRANE- Ish komandanti i gardës Ndrea Prendi dhe gardisti Agim Llupo, nëpërmjet avokatëve mbrojtës kërkuan sot të shpallen të pafajshëm për akuzat e vrasjeve të 4 demonstruesve të 21 janarit. Nesër trupi gjykues do të japë vendimin.

Në seancën e sotme që u zhvillua në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës, avokatët e Ndrea Prendit dhe të Agim Llupos kërkuan rrëzimin e akuzave pasi nuk vërtetohen.

Avokati Genc Gjokutaj në konkluzionet përfundimtare tha se Prendi respektoi planin e masave që ishte hartuar dhe rregulloren për mbrojtjen e objekteve me rëndësi të veçantë.

"Më 21 janar, nga ora 14:00, Garda është gjendur e sulmuar nga protestuesit të cilët vepruan me dhunë duke dashur të futen në godinën e kryeministrisë me forcë. Garda nuk kishte qëllim për të dëmtuar njerëz, por u shkel vija e kuqe." - tha Gjokutaj.

Gjokutaj zbulon dhe një detaj se "kur nga garda u qëllua me armë Prendi urdhëroi të mos hapej zjarr."

Nga ana e tij avokati i Agim Llupos, Besnik Cerekja tha se “Akuza nuk ka sjell prova dhe asnjë dëshmitar nuk thotë që ka parë Llupon të qëllojë”

PRETENCA
Një javë më parë Prokuroria kërkoi 48 vjet burg për dy prej të akuzuarve kryesorë për ngjarjet e 21 janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku mbetën të vrarë 4 demonstrues.

Prokuroria kërkoi 23 vjet burg për ish-shefin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, i akuzuar për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj dhe 25 vjet burg për ish-gardistin Agim Llupo, nën akuzën e vrasjes së Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës. Vrasja pa autor deri tani është ajo e Aleks Nikës.

Seancën e kaluar gjyqësore Prendi nuk pranoi akuzat duke shtuar se është ushtruar presion nga ana e Prokurorisë gjatë fazës së hetimeve.

Pas konkluzioneve përfundimtare të mbrojtjes trupi gjykues i kryesuar nga Besnik Hoxha është tërhequr për vendim, i cili pritet të jepet nesër.

(sg/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›