E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau dy vetë në vitin '90, ekstradohet ish-komandanti

Sallmoni është dënuar me burgim të përjetshëm. Vrau një nënoficer dhe një ushtar për të ikur jashtë vendit


DURRËS - Nëpërmjet linjave ajrore që vijnë nga Gjermania, ka mbërritur dje në aeroportin e Rinasit i shumëkërkuari i drejtësisë, Adhurim Sallmoni, i dënuar në vitin 1994 me burgim të përjetshëm.


43-vjeçari është deklaruar fajtor për veprat penale të "vrasjes për motive të dobëta", "vrasjes së mbetur në tentativë", si dhe "shpërdorim të armatimit dhe shkeljes së rregullave të shërbimit ushtarak".


Gjithashtu, Sallmoni është dënuar me 1 vit heqje lirie për "largim nga vendi i vuajtjes së dënimit. Mësohet se 43-vjeçari në vitin 1990, në tentativë për t'u larguar jashtë vendit ka vrarë nënoficerin Ilir Gjyrdeti dhe ushtarin Arben Legisi dhe ka tentuar të vrasë ushtarin Ilir Goxhomani. Sipas policisë këto vepra janë kryer në bashkëpunim me Edmond Gjokën.


Ngjarja


Konflikti i përgjakshëm që ka pasuar me vdekjen e dy prej pjesëtarëve të personelit të motoskafit të kufirit të ish-Degës së Punëve të Brendshme të Durrësit ka ndodhur në tetor të vitit 1990.


Adhurim Sallmoni në bashkëpunim me Edmond Gjokën, në tentativë për të rrëmbyer skafin e kufirit, janë pikasur nga efektivi i kufitarëve dhe janë përleshur me mjete të forta. Si rezultat kanë mbetur të vrarë nënoficeri Ilir Gjyrdeti, ushtar Arben Legisi dhe, sipas dëshmive të administruara në gjykatë, ka shpëtuar vetëm i plagosur ushtari Ilir Goxhomani. Ngjarja ka ndodhur në portin e Durrësit.


Pas përleshjes që ndodhi në orët e para të natës, rreth orës 20:00-21:00, është marrë skafi i armatosur me kompletin luftarak, si dhe me një mitroloz 12.7 mm të instaluar në të. Në skafin kufitar ka qenë edhe ushtari i plagosur, i cili është lënë nga dy personat në Radë, i lidhur tek bovat nr. 90.


Të nesërmen, kur motoskafi i kufirit ka shkuar rastësisht, e ka parë ushtarin dhe e ka marrë në gjendje kome, pasi ishte i gjithi i lagur dhe i mbetur në të ftohtë në mes të detit. Ushtari Ilir Goxhomani ka shpëtuar pas ndihmës mjekësore. Ndërkohë, skafi i drejtuar prej Sallmonit e Gjokës ka dalë gjatë natës në brigjet e Italisë në një zonë në veri të qytetit të Brindizit.


Ekstradimi


Policia e Shtetit bëri të ditur se Interpol Tirana kreu ekstradimin nga Mynihu drejt Shqipërisë të Adhurim Sallmonit, 43 vjeç, lindur në Durrës. Për të Gjykata e Durrësit në vitin 1994 ka dhënë dënimin me burgim të përjetshëm për "vrasje për motive të dobëta", "tentativë vrasje", "shpërdorim të armatimit dhe shkelje të rregullave të shërbimit ushtarak".


Në tetor 1990, Sallmoni në bashkëpunim me Edmond Gjokën kanë rrëmbyer motoskafin e kufirit në Durrës dhe kanë realizuar vrasjen e nënoficerit Ilir Gjyrdeti, ushtarit Arben Legisi dhe kanë tentuar të vrasin ushtarin Ilir Goxhomani. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tiranës me Interpolin gjerman u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i 43-vjeçarit.


Arrestimi: Durrësi njoftoi për vendndodhjen


Për vendin ku strehohej Sallmoni kishte vite që interesohej Sektori i Operacioneve Speciale të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Durrësit, të cilëve u kishte ardhur një informacion se i kërkuari ishte në shtetin e Gjermanisë dhe pas pak kohësh ishte saktësuar edhe qyteti ku ai punonte me emër tjetër.


Pasi u arrit që nëpërmjet informacioneve të grumbulluara nga Durrësi të saktësohej adresa e banesës se ku strehohej ai, së bashku me identitetin e rremë që kishte për t'iu shmangur zbulimit, informacioni iu përcoll Policisë së Shtetit gjerman nëpërmjet Interpol Tiranës.


Pas verifikimit të të dhënave të ofruara nga policia shqiptare, policia gjermane bëri të mundur kapjen e tij e më tej ekstradimin dje përmes aeroportit të Rinasit. Shtetasi Adhurim Sallmoni do të vuajë dënimin në Burgun 302, Tiranë.


Sallmoni u arratis dy herë nga burgu


Burimet thonë se Adhurim Sallmoni ka qenë komandant skafi në policinë kufitare. Në vitet '90, sipas procesverbalit të gjykatës që e ka dënuar fillimisht "për motive të dobëta ka qëlluar ndaj dy ushtarëve të kufirit dhe ka vrarë 1 prej tyre, si dhe tjetri ka mbetur i plagosur".


Pas kësaj përplasjeje të përgjakshme, ai ka braktisur detyrën dhe është larguar në Itali. Policia italiane e ka kapur pa dokumente dhe e ka kthyer përsëri në Durrës.


Kthimin pas 6 muajsh e ka realizuar policia italiane, e cila duke mos pasur marrëveshje të rregullta për ekstradimet ka përdorur pretekstin e kthimit se ishte pa dokumente të rregullta. Pas kthimit ai është arrestuar për veprat penale të kryera dhe dënimin me burgim të përjetshëm që i është dhënë e kryente në burgun e Kosovës, në Lushnjë.


Nga ky burg arrin të arratiset në trazirat e '97-s. Kapet pas 6 muajsh arratisjeje dhe vazhdon kryerjen e dënimit në burgun e Kosovës në Lushnjë. Kur i jepet 7 ditë leje nga autoritetet e burgut për të shkuar në shtëpi, më 16 prill '98, ai thyen lejen dhe nuk kthehet më.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›