E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarret përpijnë rreth 50 ha pyje në Orosh

LEZHË/ Transformatorët, një rrezik i përhershëm për rënien e zjarreve


LEZHË - Gjuhë të fuqishme të një zjarri të madh po përfshijnë hapësira të pamata të pyjeve të Oroshit në Mirditë, zjarr i cili që prej tri ditësh nuk po arrihet të vihet nën kontroll.


Madje, era e fortë ka bërë që ai të shpërndahet rrezikshëm në afro 50 hektarë pyje pishe në zonën e Oroshit duke iu afruar tashmë në vetëm pak metra pyjeve të pjesës bjeshkore, e cilësuar si Zonë e Mbrojtur.


Edhe pse janë dërguar forca xheniere të ushtrisë, dhe gjithë banorët e fshatrave janë vënë në alarm për të shpëtuar banesat që po rrezikohen, flakët po përhapen me shpejtësi dhe gjendja është shumë e rëndë.


Në jo pak terrene të thyera ku forcat xheniere dhe ato të pyjores kanë krijuar prita, po rrezikohet dhe jeta e tyre. Përhapja më tej e flakëve të zjarrit mund të rrezikojë edhe disa shtëpi të lagjes Zajs të Mashtërkorit apo Vilë të Nënshejtit, si dhe të Oroshit Qendër.


Drejtuesi i komunës Orosh, Aleksandër Lala, dhe drejtori i shërbimit pyjor, Lek Mandrea, kanë apeluar që situata të merret nën kontroll nga emergjencat civile shtetërore dhe të krijohet dhe mundësia e ndihmës nga ajri, pasi zjarri i rënë dhe i përhapur mund të cilësohet ndër më të mëdhenjtë të rënë ndonjëherë në vend.


Ndërkohë që dhjetëra forca po përballen me zjarrin e pamëshirshëm, antikrimi ekonomik i drejtorisë së policisë të qarkut Lezhë, po gjurmon në zjarrvënësit të cilët mendohen të jenë nga një fshat aty afër.


Transformatorët, shkak për zjarret
Një rrezik i përhershëm për rënien e zjarreve nëpër fshatra mbeten tranformatorët në kabina të hapura elektrike, të vendosur vend e pavend. Amortizimi i tyre, pozicioni në vend të hapur nëpër shtylla e dërrasa, si dhe amortizimi i rrjeteve elektrike kanë sjellë jo pak zjarre.


Rasti më i fundit është shënuar paraditen e së enjtes, ku një shkëndije elektrike i ka vënë flakën një parcele në fshatin Raboshtë të Lezhës. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikëset duke bërë të mundur izolimin dhe shuarjen e zjarrit në një kohë të shpejtë, pasi rreth e përqark parcelës ndodhen edhe banesa.


Komandanti i PMNZSH-së së Rrethit të Lezhës, Nikolin Hila, deklaroi se vetëm muajin e kaluar janë shënuar 3 raste të rënies së zjarrit nga transformatorët dhe ky është rasti i katërt. Në fshatin Raboshtë është e dyta herë që brenda pak ditësh transformatorët bëhen shkak i rënies së zjarreve.


Banorët shprehen se transformatorët nuk kanë asnjë kusht sigurie dhe në to nuk është vënë dorë prej vitesh. Izolimi dhe shuarja e zjarrit në një kohë të shpejtë në Raboshtë u bë e mundur pasi këtu nuk kishte pengesa të rrugës, por në të shumtën e rasteve zjarrfikëset krahas terreneve të vështira në pyje dhe kullota, po ndeshen edhe me mungesën e rrugëve në zonat e banuara duke e vështirësuar dhe bërë të pamundur misionin e tyre.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›