E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakron me thikë të shoqen, dëshmia e 50-vjeçarit në polici: Ikte natën nga shtëpia

Arif Serjani ka vrarë me thikë bashkëshorten e tij Arjana Serjani, nënë e tre fëmijëve. Vetëdorëzohet në polici dhe rrëfen se konfliktet për motive xhelozie e shtynë të vriste të shoqen

Një 48-vjeçare, nënë e tre fëmijëve, ekzekutohet nga i shoqi në fshatin Bërxullë të Tiranës. Krimi brenda familjes ndodhi mbrëmjen e djeshme, rreth orës 18.00 në shtëpinë e çiftit Serjani, ku fillimisht janë dëgjuar të shtëna çifteje e më pas është njoftuar vdekja e Arjana Serjanit. Forcat e policisë kanë mbërritur në vendin e krimit pasi janë njoftuar për vdekjen e 48-vjeçares në spital, pas plagëve të marra në trup nga goditjet me thikë, ndërsa i shoqi, pa bërë asnjë tentativë për arrati ka pranuar menjëherë autorësinë e vrasjes. Sipas burimeve nga policia e Tiranës, 50-vjeçari Arif Serjani është vetëdorëzuar, duke rrëfyer si shkak të ngjarjes së rëndë një grindje për motive xhelozie.

Vrasja në familje

Nga hetimet e kryera në shtëpinë ku ndodhi krimi, rezulton se dy bashkëshortët, prindër të tre fëmijëve, kanë shpërthyer në grindje gjatë pasdites së djeshme. Arif Serjani ka rrëfyer pas vetëdorëzimit në polici se shkak i grindjes mes tyre ishte largimi i së shoqes nga shtëpia në orët e natës. “Ajo është larguar disa herë nga shtëpia natën dhe unë i kërkova shpjegime”, - mësohet të ketë thënë 50-vjeçari në polici, pas arrestimit për vrasjen e së shoqes. Grindja mes tyre ka vazhduar për disa minuta, deri në momentin që 50-vjeçari ka marrë çiften që mbante në shtëpi dhe ka qëlluar disa herë me të, për të trembur të shoqen. “Megjithatë, vrasja është kryer më pas me thikë dhe ne po hetojmë më tej për të zbardhur të gjitha rrethanat sesi ka ndodhur krimi”, - bëjnë me dije burime nga policia e Tiranës për MAPO-n. Pas plagosjes së rëndë me thikë, nëna e tre fëmijëve është nisur në drejtim të spitalit, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve. Ndërsa policia e ka marrë sinjalin për krimin nga spitali, për të zbardhur më pas gjithçka ndodhi në shtëpinë e çiftit Serjani.

Arrestimi i autorit

Arif Serjani nuk ka bërë asnjë rezistencë, duke u vetëdorëzuar në polici, së bashku me çiften dhe thikën me të cilën kreu krimin. Më pas, ai është marrë në pyetje, duke shpjeguar të gjitha arsyet, që sipas tij e shtynë të vriste të shoqen. Burime nga policia e Tiranës sqarojnë se autori i krimit ka thënë se e ka vrarë të shoqen në gjaknxehtësi e sipër, pas një konflikti xhelozie. Ai e akuzonte atë se largohej natën nga shtëpia, akuzë kjo që nuk pranohej nga gruaja 48-vjeçare. Megjithatë, ky është vetëm versioni i autorit për motivin e vrasjes së ndodhur dje në Bërxullë të Tiranës. Policia tha se do të marrë në pyetje të njohurit e çiftit për të zbardhur plotësisht vrasjen nga i shoqi të Arjana Serjanit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›