Vrau kunatin se i përdhunoi vajzën, flet avokati i 50-vjeçarit shqiptar: S’duhet t’i themi bravo, duhej ta zgjidhte sipas ligjit

Avokati i 50-vjeçarit shqiptar i cili vrau kunatin e tij pasi ky i fundit i përdhunoi për 9 vite vajzën e tij, ka folur për mediat greke duke thënë se autori ishte në gjendje të rënduar mendore që kur mësoi të vërtetën.
“Klienti im nuk ishte në gjendje të qetë mendore. Babai dhe vajza e tij erdhën në zyrën time të hënën për të diskutuar për këtë çështje, para se ai të zbulonte se kush ishte në të vërtetë përdhunuesi. 18-vjeçarja i tregoi mesazhet babait të saj dhe më pas ai mësoi se përdhunuesi dhe shantazhuesi ishte kunati i tij. Kur u informova për ngjarjen e këshillova që të njoftojë autoritetet dhe pastaj të dorëzohej”, ” tha avokati Vasilikos, duke folur për Skain grek.
Gjithashtu, po sipas avokatit, 18 vjeçarja është “në gjendje të rëndë psikologjike”
“Fëmija ishte në gjendje të rëndë psikologjike, sepse ishte përdhunuar që nga mosha 9 vjeçare” u shpreh Vasilikos, ndërsa shtoi se kunati i 50-vjeçarit, “kur i duheshin para, ai filloi të shantazhojë vajzën se do të publikonte videot intime”.
Megjithatë, ai theksoi se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe të bëjë vetëgjyqësi.
“Askush nuk duhet t’i thotë “bravo” këtij njeriu, askush nuk duhet të bëjë vetëgjyqësi, ekziston policia greke, mund t’i adresohej policisë dhe do ndiqej procedura.
Që nga momenti kur 18-vjeçarja dëshmoi në polici, procesi do të zhvillohet përmes departamentit të hetimeve kriminologjike, ndërsa do të shqyrtohen materialet që vajza kishte në celularin e saj për të vërtetuar atë që pretendon i akuzuari”, tha zëdhënësja e policisë greke, EL.AS, Konstantina Dimmoglou.
/rtsh.al/