Vrau në vitin 1999, arrestohet 59-vjeçari
Shkodër- Pas 9 vitesh në kërkim, policia e Shkodrës ka ndaluar sot një person të dënuar në mungesë për vrasje.
Sipas burimeve të policisë mësohet se pak më parë është vënë në pranga shtetasi Prek Preka, 59-vjeç nga fshati Vilë i komunës Temal. “Ky shtetas ëhstë arrestuar pasi ka qenë person i shpallur në kërkim për një vrasje të kryer në vitin 1999”- thanë të njëjtat burime.
Mësohet se ai ka vrarë vite më parë shtetasin Dedë Vavacin, për motive të dobëta. Pasi e ka qëlluar ai ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që autori është larguar në drejtim të paditur. Dosja, pasi u plotësua me provat e nevojshme gjykata vendosi për këtë shtetas dënimin në mungesë.
“Për vrasjen e vitit 1999 ai u dënua me 22 vite burg, ndërkohë që policia gjatë kësaj kohe ka vijuar punën për gjetjen e tij”- thanë burimet.
Ndalimi i tij është bërë në banesë, në fshatin ku jetonte dhe mësohet se nuk ka bërë rezistencë.