Vrau pushuesit me kallashnikov, arrest me burg për 18-vjeçarin Osmeni
Vlorë- Gjykata e Vlorës ka dhënë sot masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për 18-vjeçarin Leo Osmeni, i akuzuar për vrasjen e tre pushuesve të pafajshëm në plahzin e Vlorës të dielën e shkuar.
Pas arrestimit të autorit të dyshuar për masakrën e Vlorës, dje policia ka prangosur edhe dy pronarët e resortit turistik ku ndodhi krimi. Arrestimi i Saimir dhe Servet Qamos, 25 dhe 54-vjeç, ka ardhur sepse ata akuzohen për moskallzim krimi.
Policia sqaron se nga hetimet e kryera në vendin e ngjarjes, nga kqyrja e viktimave nga një grup ekspertësh mjekoligjorë, “ka rezultuar se 2 prej viktimave shtetasit S. B, vjeç 17 dhe Sokol Isufaj vjeç 34, janë goditur nga plumba rikoshetë, si dhe asnjë prej 3 viktimave nuk ishin në konflikt me autorin dhe as kishin njohje me personat e tjerë të përfshirë në konflikt dhe se nuk kanë qënë objekt i sulmit kriminal”.
Gjithashtu bëhet me dije se grupi hetimor ka siguruar provat të pakundërshtueshme shkencore në lidhje me autorësinë e këtij krimi, prova të cilat janë sekuestruar nga policia dhe janë të patjetërsueshme. Dëshmitarët thanë se krimi ndodhi pas motra e autorit u ngacmua nga djemtë nga Fieri, të cilët i kërkuan emrin në Facebook sepse ‘ishte shumë e mirë’.
Ngjarja e rëndë u shënua pasditen e së dielës rreth orës 16:00 në një resort privat në plazhin e Radhimës në Vlorë, ku një person vrau me armë zjarri tre të tjerë, mes tyre një femër.
Sipas policisë viktimat janë: Diana Ramadan Ademi, 53 vjeçe, Serdi Agron Bajlozi nga Prrenjasi, 17 vjeç dhe Sokol Asqeri Isufaj, 34 vjeç, nga Roskoveci i Fierit.
Diana Ademi kishte ardhur nga Gjermania ku ishte stiliste të kalonte pushimet në Vlorë.
Sipas dëshmitarëve të ngjarjes por edhe të burimeve policore ngjarja ka ndodhur pas një sherri mes autorit dhe 5 të rinjve nga fshati Pojan i Fierit. Kjo pasi personat në fjalë dyshohet se i kanë ngacmuar motrën 18-vjeçarit, i cili më pas ka hapur zjarr ndaj tyre. Pesë të rinjtë kanë qenë mes pushuesve dhe në këtë mënyrë plumbat kanë kapur tre persona të pafajshëm.