E Diel, 1 Nëntor 2026

Hajredin Kuçi: Vitin që vjen Kosova do ti gjykojë vetë krimet e luftës

kuciKosovë- Nëse gjithçka shkon sipas planit të Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës, atëherë prej janarit të vitit të ardhshëm gjyqtarët dhe prokurorët vendorë do të merren me hetimin dhe dënimin e krimeve të luftës.

Kompetencat që aktualisht i ka EULEX-i, pritet të kalojnë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, përkatësisht në Departamentin për Krime Serioze që do të themelohet pasi të bëhen ndryshime ligjore.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka treguar se idenë për të themeluar Divizionin për Krimze Serioze pranë Gjykatës Themelore të Prishtinës e ka pasur prej se është emëruar Ministër. Në kuadër të këtij Divizioni, Kuçi thotë se duhet të jetë pjesa që merret me krimet e luftës.

“Një projekt të tillë e kam paraqitur qysh në ditët e para kur jam emëruar Ministër. Kemi pasur debat të plotë si me ndërkombëtarët ashtu edhe me vendorët. Ne duhet ta kemi një Departament për Krimet Serioze që do të ketë pesë kompetenca kryesore që vijnë nga Prokuroria Speciale që do të vendoset në Gjykatën Themelore të Prishtinës”, ka thënë Kuçi, për gazetën Express.

“Ky Divizion do të ketë në kompetencë luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta, luftën kundër terrorizmit, shpëlarjen e parave dhe krimet e luftës”,- ka shtuar ai.

Ai ka thënë se më së largu në fillim të vitit të ardhshëm do të jetë gati edhe baza ligjore për të funksionuar një departament i tillë.

“Unë pres të kemi ndryshime ligjore dhe po ashtu dua të besoj se prej fillimit të vitit të ardhshëm do të filloj punën Departamenti i Krimeve Serioze pranë Gjykatës Themelore”,- ka treguar ai.
Por, sa janë të gatshëm gjyqtarët dhe prokurorët të ballafaqohen me krimet e luftës?

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë thotë se gjyqtarët dhe prokurorët vendës kanë të gjitha kapacitetet si morale ashtu edhe profesionale për t’u marrë me të gjitha rastet e krimeve.

“Gjyqtarët dhe prokurorët tonë e kanë kompetencën e plotë, e kanë betimin që kanë dhënë dhe e kanë devotshmërinë, por duhet edhe t’iu japim mbështetje. Unë besoj në profesionalizmin, guximin dhe ndershmërinë të gjyqtarëve tonë”,- ka shtuar ai.

Kuçi ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk është në konflikt me EULEX-in dhe se për mandatin e tij do të vendoset në Kuvendin e Kosovës në gjysmën e vitit 2014, raporton Express.

Kuçi ka komentuar edhe deklaratat e zyrtarëve serb, të cilët kanë thënë se nuk do të lejojnë të largohet EULEX-i nga Kosova.

“Serbia nuk përzihet në çështje të tilla dhe s’ka asnjë kompetencë. Serbia në fillim ka qenë kundër Misionit të BE’së për Rend dhe Ligj në Kosovë. Serbia duhet ta ketë parasysh se ne do të jemi në proces integrues për në BE, por për misionet e ndryshme të BE’së që janë në Kosovë vendosim ne bashkë me BE’në”,- ka thënë Hajredin Kuçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›