Pëllumbi: Përjashtimi i Islamit, normal, të mos bëjë viktimën
Ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, duke folur për Ora News, e ka quajtur krejt normal përjashtimin e Kastriot Islamit nga grupi parlamentar i PS-së. Sipas tij, nuk është ndonjë hata që kjo ka ndodhur, pasi kjo është edhe mënyra me të cilën funksionojnë partitë. Ai ka thënë se Islami nuk duhet të bëjë rolin e viktimës, pasi për më shumë se dy vjet ai nuk zbatonte asnjë vendim të grupit parlamentar “...pothuajse ka qenë fiktiv, edhe në kryesi edhe si sekretar organizativ i partisë. Mendoj që duhen parë gjërat me realizëm, pa i dramatizuar dhe askush të mos e trajtojë veten si viktimë”, tha Pëllumbi. Më poshtë prononcimi i plotë dhe si e sheh ish-kryetari i Kuvendit dhe një nga figurat kyçe të PS-së vendimin për përjashtim.
“Më bën përshtypje një gjë, se sikur po politizohet ca si shumë kjo çështje, që në vetvete është një praktikë normale për një grup parlamentar që pretendon të fitojë dhe të qeverisë vendin dhe kuptohet që nuk mund të fitojë besimin e elektoratit nëse nuk qeveris dot vetveten, nqs nuk është në gjendje të zbatojë vendimet e veta, vullnetin e vet politik. Në këtë kuptim, për këdo që është e qartë sesi krijohet dhe funksionon një parti ndryshe nga mënyra sesi funksionon një lojë, e ka të qartë që këtu nuk ka asgjë të veçantë. Është një praktikë normale. Po ashtu është për këdo që është i njohur për praktikat e partive të tjera europiane të majta dhe të djathta, kjo është diçka normale. Çdokush duhet ta ketë të qartë se kush nuk zbaton vendimet e grupit të vet parlamentar, nënkuptohet se për atë ka masë përjashtimi. Kuptohet gabim kur thuhet se demokracia e brendshme minohet po të jetë se bëhet ndonjë përjashtim. Nuk mund të mendosh se në demokraci nuk duhet të ketë asnjë lloj ndëshkimi apo përjashtimi, sepse kështu na shkelet demokracia. Partitë në fund të fundit krijohen mbi bazën e një programi, miratohet bashkarisht një statut, miratohen bashkarisht disa rregulla, të cilat duhet të zbatohen, se ndryshe janë formale. Në rastin e politikës është parimi që Sartori e quante tirania e shumicës, në kuptimin figurativ. Dua të them me këtë se kur merret vendimi me shumicë ai duhet të zbatohet, pavarësisht se ai që është në pakicë mund të ketë mendim ndryshe, sërish shumica ka të drejtën e vendimit. Ndryshe nuk funksionon as partia as grupi parlamentar. Nuk është ndonjë hata siç është thënë sot në disa media se në PS po ndodh një hata e madhe, apo ai që u përjashtua të marrë pozat e viktimës, kur realisht ka dy vjet a mos më shumë që nuk zbaton asnjë vendim të grupit parlamentar të PS dhe pothuajse ka qenë fiktiv, edhe në kryesi edhe si sekretar organizativ i partisë. Mendoj që duhen parë gjërat më realizëm, pa i dramatizuar dhe askush të mos e trajtojë veten si viktimë. Në fund të fundit, PS duhet të funksionojë si një parti dhe grupi parlamentar si një grup unik dhe të mund të fitojë kështu besimin e elektoratit si një parti e mundshme për të ardhur në pushtet në të ardhmen.”