E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Vriten 3 persona në Nottingham, policia arreston autorin 31-vjeçar

Tre persona, dy prej tyre studentë të Universitetit të Nottingham janë vrarë këtë të martë në Nottingham. Policia ka vënë në pranga autorin e sulmit, ndërsa sqaroi se ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit. 

“Policia u thirr në Ilkeston Road vetëm pas orës 4 të mëngjesit ku dy persona u gjetën të vdekur në rrugë. Oficerët më pas u thirrën në një tjetër incident në Milton Street, ku një furgon kishte tentuar të përmbyste tre persona. Ata aktualisht po trajtohen në spital.  Një burrë gjithashtu është gjetur i vdekur në rrugën Magdala. Një 31-vjeçar u arrestua me dyshimin për vrasje”, tha Policia e Nottinghamshire.

Shefi i policisë Kate Meynell teksa e konsideroi një ngjarje të tmerrshme, u shpreh se një sërë rrugësh në qytet do të bllokohen.

“Kjo është një ngjarje e tmerrshme dhe tragjike e cila ka marrë jetën e tre personave. Ne besojmë se këto tre incidente janë të gjitha të lidhura dhe kemi një burrë në paraburgim.

Ky hetim është në fazat fillestare dhe një ekip detektivësh po punon për të përcaktuar saktësisht se çfarë ka ndodhur. I kërkojmë publikut të jetë i durueshëm derisa të vazhdojnë hetimet. Në këtë moment, një sërë rrugësh në qytet do të mbeten të mbyllura, ndërsa hetimi vazhdon”, tha ai.

Për ngjarjen ka reaguar edhe Kryeministri britanik Rishi Sunak i cili ndërsa e cilësoi si një incident tronditës, u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave.

“Dua të falënderoj policinë dhe shërbimet e urgjencës për reagimin e tyre të vazhdueshëm ndaj incidentit tronditës në Nottingham këtë mëngjes. Unë jam duke u përditësuar për zhvillimet. Policia duhet t’i jepet kohë për të ndërmarrë punën e saj. Mendimet e mia janë me të plagosurit, me familjen dhe të dashurit e atyre që kanë humbur jetën”, tha Sunak.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›