Rama: Modernizohet Akademia e Forcave të Armatosura, rritet interesimi i të rinjve

Kryeministri Edi Rama njoftoi se modernizimi i infrastrukturës ushtarake po prek çdo qelizë të Forcave të Armatosura, duke u bazuar në standardet më të avancuara të NATO-s.
Një nga projektet kryesore është Akademia e Forcave të Armatosura, e konceptuar nga kompania prestigjioze “Bofill Taller de Arquitectura”. Ky projekt shumëfunksional, tha Rama, përfshin zona akademike, stërvitore, sportive, logjistike dhe komanduese, duke e kthyer kampusin në një hapësirë bashkëkohore dhe të integruar.
“Ky është projekti shumëfunksional i Akademisë së Forcave të Armatosura, i konceptuar nga kompania me famë botërore “Bofill Taller de Arquitectura”, që reflekton një frymë të re arkitekturore ku shkrihen mes tyre zonat akademike, stërvitore, sportive, logjistike dhe komanduese, për ta zhvendosur kampusin akademik drejt konceptit bashkëkohor të NATO-s”, shkruan Rama.
Investimi në kapitalin njerëzor është në fokus të qeverisë, çka reflektohet edhe në rritjen e ndjeshme të numrit të aplikimeve për programet Bachelor, ku për sezonin e ri janë regjistruar 1634 të rinj të interesuar.
/rtsh.al/