E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vriten 7 afganë nga sulmi i NATO-s

Ministria e Mbrojtjes së Afganistanit ka njoftuar se nga një sulm ajror i forcave të NATO-s janë vrarë gabimisht shtatë pjesëtarë të forcës afgane të sigurisë, në provincën Badghis.

Një deklaratë e bërë ditën e shtunë, nga kjo Ministri thotë se mes të vrarëve kishte pjestarë të ushtrisë dhe policisë afgane, dhe se forcat e NATO-s dhe ato afgane po kryejnë hetime rreth ngjarjes.

Po të shtunën, NATO-ja njoftoi se në këtë zonë ishin plagosur 25 ushtarë të huaj dhe afganë. Zyrtarët fillimisht ia hodhën fajin për viktimat "aktiviteteve kryengritëse", por më vonë thanë se ka mundësi që ushtarët të jenë qëlluar nga vetë zjarri i NATO-s.

Në kohën e ngjarjes, trupat ishin duke kryer një operacion për kërkimin e dy ushtarëve amerikanë që mendohet se janë mbytur.

Zëvendës shefi i policisë për provincën deklaroi se dy ushtarët ishin rrëmbyer nga lumi të mërkurën, kur po përpiqeshin të shpëtonin kutitë me ndihma që ranë në ujë pas hedhjes nga ajri.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›