Vriten në atentate mafioze, dy biznesmenë në Durrës e Bulqizë
Dy atentate mafioze kanë ndodhur ditën e djeshme në qytetet Durrës e Bulqizë, ku dy persona të njohur si biznesmenë janë ekzekutuar me armë nga persona të maskuar.
Ngjarja në Durrës
Ngjarja e parë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm rreth orës 9.00 të mëngjesit ku shtetasi Plaurent Cani 40-vjeç, biznesmen në fushën e ndërtimit është ekzekutuar me 17 plumba nga 2 persona të maskuar që lëviznin me motor e kanë qëlluar me armë zjarri tip pistoletë në zonën e plazhit në Durrës, pranë sektorit Teuta dhe janë larguar me shpejtësi nga vendi i krimit. Viktima mësohet se po pinte kafe me punonjësit e tij, në një lokal pranë vendit ku po ndërtonte një pallat në zonën e plazhit. Bluzat e bardha e kanë pasur të pamundur të shpëtojnë jetën e 40-vjeçarit për pasojë se dy prej plumbave i kishin prekur organet jetësore. Policia menjëherë ka ngritur postblloqe të shumta për kapjen e autorëve, ndërkohë që ngjarja dyshohet të ketë lidhje me punën që bënte biznesmeni. Dëshmia e punonjësve që shoqëronin viktimën në lokal do të jetë pikë kyçe për zbardhjen e detajeve të krimit. Sipas të dhënave të Policisë një prej pistave të hetimit ka të bëjë me larje hesapesh dhe hakmarrje pasi 40 vjeçari Cani ka qenë një person me precedentë penalë në Itali ku është dënuar për trafik droge.
Ngjarja në Bulqizë
Qerim Marku, 40 vjeç, është personi tjetër i vrarë brenda ditës së djeshme, i njohur në qytet si një ndër biznesmenët e kromit dhe vrasja mendohet se është kryer për shkak të konkurencës për nxjerrjen e kromit. Marku është qëlluar me breshëri automatiku nga afër, pranë një servisi rreth orës 11:30 të ditës së djeshme në vendin e quajtur Kthesa e spitalit, sapo del nga qyteti, për në aksin drejt Tiranës. Persona të paidentifikuar dhe të pamaskuar dolën nga një veturë e kuqe tip BMV dhe qëlluan pa paralajmërim ndaj biznesmenit. Por viktimë mbeti edhe një kalimtar i rastit që ndodhej në servil, Semi Ismaili, rreth 50 vjeç, por pa rrezik jete dhe u dërgua në Spitalin Ushtarak të Tiranës me helikopter. Policia vendore shkoi menjëherë në vendngjarje dhe nisi hetimet, ndërsa zbuloi se ka qenë një atentat hakmarrës ndaj Markut për hesapet e kromit. Policia beson se është vijimi i luftës mes bandave rivale të zotërimit të galerive të kromit në Bulqizë, që gjatë tre viteve të fundit është shndërruar në luftë me viktima. Marku mësohet se qëndronte në banesë dhe nuk dilte pa mbështetje në rrugë, pasi e dinte për konfliktet që kishte. Madje edhe biznesin e drejtonte nga shtëpia me telefon dhe mundohej ti shmangej armiqve të tij në këtë aktivitet.