E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vritet 81-vjeçari në Zall-Bastar, i moshuari rezulton të jetë goditur me sende të forta

Ka qenë pikërisht ekspertiza paraprake e cila vendosi në lëvizje policinë e Tiranës ku hetimet morën një kthesë 180 gradë, nga ngjarje aksidentale në vrasje me dashje.

Dyshimet fillestare ishin përqendruar në një aksident të mundshëm, ku i moshuari pasi ishte dalë nga banesa kishte rrëshqitur duke përplasur kokën në gurë, e për pasojë ndërroi jetë në vend.

Por mjekësia ligjore përcaktoi qartë se goditjet ishin shkaktuar nga sende të forta, çka për blutë ngre dyshime se 81-vjeçari mund të jetë goditur në kokë nga ndonjë person tjetër.

Një nga pistat e hetimit është ajo e ndonjë konflikti që i moshuari mund të ketë patur me banorë të zonës për punët e fshatit.

Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që të jetë vrarë me qëllim për t’u vjedhur.

Burimet thonë se Metës nuk i është gjetur portofoli dhe disa sende të tjera që mbante me vete, por nga ana tjetër banesa brenda është gjetur e paprekur.

Grupi hetimor ka marrë në pyetje familjarët e viktimës të cilët kanë thënë se nuk janë në dijeni nëse i moshuari të ketë patur konflikte me njerëz të tjerë të zonës.

Sipas tyre në fshat shumica e banesave kanë lidhje farefisnore mes tyre.

Në pyetje gjithashtu janë marrë edhe banorët e tjerë por edhe dëshmia e tyre nuk i ka ndihmuar hetuesit./vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›