E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet ambasadori amerikan në Libi

Ambasadori Amerikan në Libi, Chris Stevens dhe 3 funksionarë të lartë të Konsullatës Amerikane humbën jetën në sulmin që iu bë selisë diplomatikë të SHBA-së në Bengazi.

Lajmi u përhap nga televizioni ‘Al Jazeera’.

Qindra manifestues sulmuan të martën në mbrëmje, me armë e granata, Konsullatën Amerikane në qytetin lindor të Libisë, Bengazi, për të kundërshtuar një film, që sipas tyre ofendon Islamin. Filmi i realizuar nga Sam Bacile titullohet ‘Pafajësia e Myslimanëve’ dhe tregon jetën e Profetit Muhamed.

Demonstrata antiamerikane kundër filmit u zhvilluan edhe jashtë Ambasadës Amerikane në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro. Protestuesit në të dy vendet thonë se filmi i prodhuar në Shtetet e Bashkuara është fyes për profetin Muhamed.

Të paktën 2.000 demonstrues u mblodhën jashtë ambasadës në kryeqytetin egjiptian. Disa protestues hipën mbi mur, ulën flamurin amerikan dhe e zëvendësuan atë me një flamur islamik.

Raportet e medieve thonë se filmi rreth profetit Muhamed u financua nga anëtarët e grupit të mërgimtarëve kopt të krishterë të Egjiptit. Nuk është ende e qartë nëse të dyja sulmet kanë qenë të koordinuara.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, konfirmoi se një oficer i Departamentit Amerikan të Shtetit është vrarë gjatë dhunës, duke shtuar se “disa kanë dashur që të justifikojnë këtë sjellje si një përgjigje ndaj një materiali ofendues të postuar në internet”.

Në një deklaratë, Clinton tha se Shtetet e Bashkuara “shprehin keqardhjen për çdo përpjekje të qëllimshme për denigrimin e besimit fetar të të tjerëve", por shtoi se “nuk ka ndonjë justifikim për veprimet e dhunshme të këtij lloji.”

Ndërsa, zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Viktoria Nuland, tha se SHBA e dënon ashpër sulmin, dhe po punon me forcat libiane të sigurisë për të siguruar ndërtesën.

Banorët e Bengazit të intervistuar afër konsullatës së shkatërruar amerikane, kanë thënë se sulmi është rezultat i zemërimit në lidhje me filmin.

“Libianët nuk duan që dikush të thotë diçka të keqe mbi profetin e tyre. Profeti Muhamed nuk është Osama bin Laden. Ai nuk është kushdo qoftë. Ai është profeti ynë”, ka thënë një qytetar i Bengazit.

Edhe protestuesit në Kajro dënuan filmin. Një protestues, Hosam Jusef Ismail, e ka dënuar poshtërimin e profetit islamik nën pretekstin e lirisë së shprehjes.

“Nuk është e drejtë që një njeri të ketë të drejtë të bëjë çka do. Kjo do të ishte kundër interesave të një personi tjetër. Nuk ekziston një gjë e tillë si liria e pakufizuar. Edhe liria ka kufij. Bindjet themelore fetare duhet të respektohen nga të gjithë në botë. Ne jemi kundër këtij filmi, ne kemi dëgjuar se e fyen profetin, paqja qoftë mbi të, edhe pse unë personalisht nuk e kam parë atë. Por, ne jemi duke u përpjekur që të dërgojmë një mesazh në tërë botën se ne, si myslimanë, i kemi vijat e kuqe, dhe se ne kemi besimet themelore. Nëse mediat përpiqen që të na bëjnë të devijojmë nga besimet tona thelbësore, ne kurrë nuk do ta bëjmë një gjë të tillë”, tha Ismail.

Ambasada e SHBA-së lëshoi një deklaratë që dënon “përpjekjet e vazhdueshme nga individë të këshilluar keq, që lëndojnë ndjenjat fetare të myslimanëve.

Në deklaratë thuhet se “Ambasada fuqimisht kundërshton veprimet e atyre që abuzojnë me të drejtën universale të fjalës së lirë për të lënduar besimet fetare të të tjerëve.”

Sam Basil, një izraelito-amerikan që merret me patundshmëri nga Kalifornia, tha se ai e ka prodhuar dhe drejtuar filmin.

Agjencia e lajmeve Associated Press citon Basilin të ketë përshkruar se si të krishterët koptë janë shtypur në Egjipt.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›