E Diel, 1 Nëntor 2026

Vritet kambisti 45 vjecar në qendër të Durrësit, policia heton në 2 pista

Fundjava e djeshme ka shënuar një numër të madh viktimash, të cilat për shkaqe të ndryshme kanë humbur jetën. Një ngjarje e rëndë, e ndodhur në qytetin e Durrësit ka tronditur banorët e këtij qyteti bregdetar. Kambisti 45-vjeçar, Agush Hyzoti është qëlluar me armë zjarri automatik e për pasojë ka gjetur vdekjen. Edhe pse autorët ende nuk janë identifikuar, për shkaqet e vrasjes janë ngritur fillimisht dy pista hetimi, vrasja me qëllim për grabitjen e parave që kishte me vete kampisti, ndërsa pista tjetër ka të bëjë me ndonjë hakmarrje të vjetër të personit për shkak të profesionit apo probleme. Në momentin kur është ekzekutuar, viktima ka qenë pranë pallatit ku banonte.Uniformat blu bëjnë me dije se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 17.45 minuta në lagjen numër 11, pranë Gjykatës së rrethit. Menjëherë pas ekzekutimit, autorët e ngjarjes janë larguar në drejtim të paditur duke humbur çdo gjurmë. Ndërkohë,  viktima është dërguar menjëherë për në spitalin e Durrësit nga banorë të zonës, ku edhe ka ndërruar jetë gjatë rrugës si pasojë e plagëve të rënda, që ka marrë në trup. Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, që po punojnë për zbardhjen e vrasjes dhe kapjen e autorit. Polica bën të ditur se 45-vjeçari, i cili u qëllua nga persona ende të paidentifikuar në hyrje të pallatit, nga një distancë tepër e afërt, punonte si kambist. Në vendngjarje ka mbërritur edhe drejtori i krimeve Nikolin Bala, i cili ka deklaruar se policia ende nuk ka një pistë zyrtare për këtë vrasje që ka ndodhur pikërisht në hyrje të pallatit, ku banonte kampisti, i cili u ekzekutua. Megjithatë, në kërkim të autorit ose autorëve të vrasjes janë vënë efektiva të policisë së Qarkut të Durrës si dhe forcat RENEA-s, të mbërritura nga Tirana. Ngjarja tragjike ka ndodhur në kohën kur 45-vjeçari po ktheje në shtëpi pas punës dhe kur ka qenë pranë hyrjes së pallatit, ku jetonte është qëlluar me armë nga persona ende te paidentifikuar. Hyzoti është dërguar në gjendje kritike për jetën në spitalin rajonal të qytetit të Durrësit nga banorët e pallatit të cilët kanë dalë për të parë se çfarë po ndodhte në ambientet e objektit, ku ata jetonin. Bluzat e bardha të spitalit bëjnë të ditur se 45-vjeçari kishte ndërruar jetë nga plagët fatale të marra në trup përpara se të mbërrinte në urgjencë. Policia tha se ka ngritur shumë postblloqe në qytetin e Durrësit si dhe në periferi të tij. Mbi trupin e 45-vjeçarit është shtënë disa herë më armë zjarri çka e kanë bërë atë të humbi jetën. Hyzoti ishte baba i tre fëmijëve dhe është vrarë me armë zjarri automatik model 56. Ngjarja ka tronditur banorët e pallateve përreth, ndërkohë që krismat e armës janë dëgjuar nga pothuajse të gjithë banorët dhe kalimtarët e rastit në këtë rrugë. Nga dëshmitarë të rastësishëm bëhet e ditur se vrasja mund të jetë kryer nga dy persona, të cilët kanë dalë nga pallati dhe kanë ikur me një motoçikletë. Agush Hyzoti punonte kambist së bashku me tre ortakë të tjerë në qendër të qytetit të Durrësit. Agjencia e këmbimit valutor gjendet pranë stacionit të autobusit urban të Shkozetit, ndërkohë që viktima sapo kishte mbaruar punë dhe ishte duke u kthyer pranë familjes. Policia po mban kontakt me familjarët, po merren në pyetje edhe personat që e mund të kenë parë autorët në momentin që ka ndodhur ngjarja. Nga ana e policisë pritet të analizohen të dhënat për të gjetur shkaqet e kësaj ngjarjeje. Në drejtorinë e  policisë  është vënë në gjendje alarmi dhe janë thirrur të gjithë shefat e Departamentit të hetimit, për të bërë zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë. Policia ka rrethuar vendin dhe po punon për identifikimin e autorit dhe kapjen e tij, mësohet se larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa shtëpia e viktimës është rrethuar  nga forca të shumta policore. Gjithsesi edhe pas hetimeve të para nga policia, vrasja e kambistit mbetet ende e pa zbardhur ndërsa rrethanat dhe mënyra se si ndodhi ka hedhur dyshime se ky ka qenë një ekzekutim i planifikuar pasi dyshohet që vrasësit mund ta kenë ndjekur, ndërsa zgjodhën momentin më të përshtatshëm për  ta kryer këtë vrasje. Deri në këto momente po hetohen disa pista por dy kryesoret janë vrasja me qëllim për grabitjen e parave që kishte me vete kampisti, ndërsa pista tjetër ka të bëjë me ndonjë hakmarrje të vjetër të personit për shkak të profesionit apo probleme personale.

Last Updated on Sunday, 10 May 2009 15:03

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›