E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i grekëve, Dule paralajmëron koalicion me të majtët, braktis Berisha

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, ka paralajmëruar bashkimin me partitë e majta, në koalicionin për zgjedhjet e 28 qershorit. Pavarësisht, se zyrtarisht kjo parti do të vendosë të martën e javës së ardhshme se me cilin kamp politik do të dalë në zgjedhje, programi politik qeverisës i prezantuar nga kryetari i kësaj partie, Vangjel Dule renditi çështje të përbashkëta me atë që socialistët miratuan në Asamblenë Kombëtare një ditë më parë. Në kongresin elektoral të kësaj partie, mbajtur ditën e djeshme, Dule ka folur në gjuhën e partisë më të madhe në opozitë, duke u pozicionuar si kritik përballë punës së qeverisë së kryesuar nga kryeministri Berisha. Duke iu referuar koalicioneve që PBDNJ do të bëjë në prag të zgjedhjeve parlamentare të qershorit, Dule ka marrë miratimin e kongresit, që ditën e martë, në interes të parimeve të PBDNJ-së dhe me ndihmën e OMONIAS, të vendosë pjesëmarrjen në një koalicion. Nëse do të duhet që të lëmë mënjanë krenarinë tonë të kandidimit më vete, do dëshironim pëlqimin tuaj që me shumë vëmendje ditën e martë strukturat drejtuese të PBDNJ në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë strategjikë, me Omonian, me Unionin Vllah, me shoqatën Rozafa, etj, do të nxjerrim një vendim përfundimtar, u shpreh Dule. Më shumë se një mungesë qartësie dhe vendosmërie në këtë drejtim, mbetet dhe fakti se sistemi i ri zgjedhor përcakton se partitë pjesëmarrëse në koalicion janë më shumë të favorizuara, se partitë që dalin vetëm në zgjedhje, çka i bën të pamundur PBDNJ-së që të ndjek traditën e mëparshme; pavarësisht se me kë radhitej para zgjedhjeve, pas tyre ajo e kishte të garantuar vendin në qeveri. Në 4 vitet e kaluara PBDNJ ka qenë pjesë e qeverisë Berisha, por kreu i kësaj force politike në muajt e fundit nuk i ka kursyer kritikat dhe pakënaqësitë për qeverisjen e vendit.
Kritikat ndaj situatës në vend  
Kryetari i PBDNJ-së, partia e të cilit bën pjesë në koalicionin qeverisës, ka qenë shumë kritik ndaj situatës në vend duke veçuar nevojën për reforma të thella në disa sektorë si; arsimi, çështjet sociale e ekonomike dhe trajtimi i minoriteteve. Politikat sociale duhet të jenë më pak pasive dhe mëshiruese dhe më shumë inkurajuese, rehabilituese dhe integrues. Sistemi arsimorë ende nuk po arrin ti japë një përgjigje përfundimtare fenomenit të analfabetizmit, si edhe nuk bëhet një përpjekje sistematike për ngritjen e mesatares të viteve të arsimit për frymë, i cili gjatë viteve të fundit ka rënë ndjeshëm. Emigracioni klandestinë me gjithë përpjekjet për ndalimin e tij nuk është ende në një emigracion të organizuar. Sipas tij, integrimi në NATO është përdorur si demagogji për efekt elektoral. Integrimi në strukturat euroatlantike, madje edhe vetë arritja e integrimit në NATO, u përdor në disa momente më tepër si slogan demagogjik sesa si arritja e një objektivi strategjik për të gjithë shqiptarët, i cikli deri në integrimin e plotë do të mbetet një stacion tepër i rëndësishëm, u shpreh Dule.
Çështja e emigrantëve
Një nga çështjet me rëndësi për PBDNJ-në është dhe votimi i emigrantëve, një prej kërkesave për të cilën partitë e opozitës kanë këmbëngulur fort madje edhe ditët e fundit, ku sipas Vangjel Dules është demagogji e qeverisë. Qeveria, në të cilën ne kontribuojmë u angazhua se në zgjedhjet e kësaj radhe, emigrantëve do tu garantohej e drejta e votës në vendet ku ata jetojnë. Edhe në këtë sektor të politikës mbizotëron slogani dhe spekulimi. Dëgjuam forca politike edhe disa muaj më parë që në mënyrë demagogjike të flasin për votën e emigrantëve, por kur zhvillohej debati për Kodin e Ri Zgjedhor dhe ekzistonin të gjitha kushtet dhe premisat që të mos shikonim vetëm xhepat dhe remitancat e emigrantëve, por tu jepnin atyre mundësinë e kontribuimit nëpërmjet votës së tyre, të gjithë heshtën, nënvizoi Dule, ku veçoi faktin se ishte PBDNJ-ja e vetme, që ngrinte zërin pa u dëgjuar.

Last Updated on Sunday, 10 May 2009 16:15

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›