E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Bolero në vilën e pleqve" prezantohet në Elbasan

Në mjediset e Bibliotekës "Qemal Baholli" të qytetit të Elbasanit u prezantua libri më i fundit i shkrimtarit të njohur Fatos Kongoli Bolero në vilën e pleqve. Në këtë prezantim merrnin pjesë intelektualë si dhe shkrimtarë të njohur si: Flutra Açka, Fatmir Musai, Elisabeta Myftari, botuesit Fatmir Toçi. Të pranishmit diskutuan rreth vlerave q sjell libri si dhe vetë shkrimtari Kongoli në letërsinë shqiptare. Fatos Kongoli, është romancieri më i spikatur, më prodhimtar dhe padyshim, më i rëndësishmi i dy dekadave të fundit në letërsinë shqipe. Ndoshta vepra më e mirë e shkruar nga Kongoli në korpusin e tij prej 10 romanesh në më pak se 20 vjet dhe një sërë tregimesh që nuk qëndrojnë më poshtë se proza e tij e gjatë për nga mjeshtëria e rrëfimit dhe vlerat artistike. Romani i ri është një përpjekje e mundishme e autorit për të depërtuar në skutat më të errëta të psikikës njerëzore, një tablo e errët, me ngjyra të rreme të një jete vanitoze dhe të  trishtueshme të shoqërisë sonë që sapo është  çliruar nga kthetrat e një shoqërie të mbyllur, por që hapjen ndaj botës e përjetoi si shqyerje të portave dhe lirinë si anarki, ku pasiguria e jetës së njeriut, sidomos e femrës, rrezikoi të fusë me përmasa të frikshme gjithë shoqërinë shqiptare në rrugën e deformimeve të ndjeshme të karakterit dhe të vetë qenies. Në këtë situatë gri veprojnë personazhet  në romanin më të ri të  Kongolit. Dy pleq, në një vilë, dhe një infermiere që kujdeset për ta. Në aktin e fundit të jetës, pleqtë i shkruajnë letra njëri-tjetrit, të cilat i zhdukin pa lënë gjurmë, ndërsa infermierja përpiqet më kot ti shtjerë në dorë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›