Vuçiç: Nga 1 shtatori Kosova do detyrojë serbët të ndryshojnë targat, nuk shoh asnjë zgjidhje

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka qenë i prerë teksa ka deklaruar se nuk sheh asnjë zgjidhje me Kosovën lidhur me çështjen e targave. Vuçiç thekson se Kosova do të detyrojë serbët që të ndryshojnë target në automjetet e tyre prej 1 shtatorit.
Vuçiç deklaroi sot se, pavarësisht deklaratave optimiste të disa përfaqësuesve evropianë, ai aktualisht nuk sheh zgjidhje për çështjen e targave në Kosovë dhe se Prishtina sigurisht që do të vazhdojë fushatën e saj nga 1 shtatori dhe do të përpiqet t’i detyrojë serbët të ndryshojnë targa në automjetet e tyre. “Nuk shoh zgjidhje për momentin, nga 1 shtatori do të tentojnë të ndryshojnë targat”, tha Vuçiç, raporton Tanjug.
Qeveria e Kosovës shtyu me 30 ditë vendimin për reciprocitetin e letërnjoftimeve dhe targave serbe. Por disa ditë më parë, Serbia dhe Kosovë arritën në një marrëveshje lidhur me letërnjoftimet, ku ranë dakord që Serbia të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e ID-së së Kosovës, dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e ID-së serbe. Në këtë kuadër, nga 1 shtatori hyn në fuqi vendimi i qeverisë së Kosovës për targat serbe.
/rtsh.al/